Shqipe Pantina së fundmi i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook.
“Shqipe Pantina nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet shtëpisë sonë politike si një profesioniste me përvojë të shquar në jetën publike”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se është i lumtur me ardhjen e saj në LDK.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur për ardhjen e Shqipes në LDK. Ajo përveç se pasuron radhët tona politike, vazhdon ciklin e bashkëngjitjeve që anëtarë të jetës publike, politike, medias e shoqërisë civile po e bëjnë me LDK-në”, ka shkruar Abdixhiku.
Kujtojmë se Pantina kishte qenë për dy mandate deputete në Kuvendin e Kosovës si pjesë e LVV-së, e cila pastaj ishte larguar nga ky subjekt.
Pas largimit nga LVV, Pantina ishte angazhuar në PSD e kohëve të fundit ka qenë e angazhuar më shumë si analiste e çështjeve politike në vend.
Postimi i plotë:
Shqipe Pantina nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet shtëpisë sonë politike si një profesioniste me përvojë të shquar në jetën publike.
Shqipja ka shërbyer për dy mandate si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Para angazhimit politik, ajo ishte pjesë e shoqërisë civile, sikurse dhe konsulente në projekte të ndryshme ndërkombëtare me organizata prestigjioze si USAID, BE, OSBE, NDI, IFES e IREX.
Shqipja i ka të mbaruara studimet bazike në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Shkencave Politike, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Gracit në Austri, në fushën e studimeve evropiane.
Në vitin 2012 ka specializuar në Universitetin e Indianas të ShBA-ve në fushën e sistemeve zgjedhore.
Jam jashtëzakonisht i lumtur për ardhjen e Shqipes në LDK. Ajo përveç se pasuron radhët tona politike, vazhdon ciklin e bashkëngjitjeve që anëtarë të jetës publike, politike, medias e shoqërisë civile po e bëjnë me LDK-në. Lidhja Demokratike e Kosovës sot është bërë adresa e vetme e profesionistëve të tillë. Nga këtu, kështu, e kemi për obligim t’i ofrojmë qytetarëve të vendit platformë politike të denjë për rrugëtimin e ardhëm që Kosova e meriton.
Shqipe, mirë se vjen! /Telegrafi/