Telegrafi

Shqipe Mehmeti – Selimi: Vlera e UÇK-së duhet të jetë e pacenueshme

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti – Selimi, ka thënë se muaji qershor shënon ditët e çlirimit të komunave të Kosovës, ashtu sikur edhe gjithë çlirimin e Kosovës dhe largimin e forcave pushtuese serbe nga vendi ynë.

Në fjalimin e saj në Kuvend, deputetja e LVV-së theksoi se Kosova tash e 22 vite shënon dhe përkujton ditët e çlirimit dhe të rënët për liri, transmeton Telegrafi.

“Pas sakrificës së popullit të Kosovës, pas luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s, Kosova tash e 22 vite shënon dhe përkujton ditët e çlirimit dhe të rënëve për liri. Në respekt të historisë duhet bërë gjithçka që këto ditë të kenë përkushtimin maksimal të institucioneve”, deklaroi ajo.

Deputetja tha se duhet bërë më shumë për mirëmbajtjen e varrezave.

“Agjencia për Mbrojtjen e Memorialeve dhe komunat duhet të kenë përkushtim duke u angazhuar në mirëmbajte të varrezave në çdo ditë të vitit”,  shtoi ajo.

Tutje, deputetja Mehmeti – Selimi theksoi se “vlera e luftës së UÇK-së duhet të jetë e pacenueshme”. /Telegrafi/