Telegrafi

Shqevi rrezikon 10 vjet në qeli

Ish-i përndjekuri politik pritet që të gjykohet, pasi ai akuzohet se i ka vënë flakën shokut të tij, Gjergj Ndreca, gjatë zhvillimit të grevës së urisë afro katër muaj më parë. Pas kësaj ngjarjeje, ka reaguar edhe shoku i tij, Ndreca, i cili ka kërkuar që miku i tij, të lihet i lirë.

“Unë ia kam vënë vetë flakën vetes dhe shoku im duhet të lihet i lirë, pasi ai është i pafajshëm”, ka deklaruar Ndreca, pas arrestimit të ish-të përndjekurit, Perikli Shqevi, shkruan “Gazeta Shqiptare”.

Por edhe pas këtyre deklaratave, gjykata ka vendosur masën “arrest shtëpie” për ish-grevistin. Në muajin shtator, një grup të përndjekurish politikë ndërmorën një grevë urie për të fituar të drejtat e tyre. Por me kalimin e kohës brenda çadrës së grevës u shënuan edhe disa incidente, siç ishte ai i aktit të vetëdjegies të Gjergj Ndrecës, për të cilin akuzohet miku i tij, Shqevi, se ishte ai personi që i vuri flakën. Por gjatë kësaj greve edhe ish-i përndjekuri tjetër, Lirak Bejko, i vuri flakën vetes, çka rezultoi fatale për jetën e tij. /Telegrafi/