Telegrafi

Shqetësuese, rritet numri i personave me probleme të shëndetit mendor në Shqipëri

Frika, ankthi dhe çrregullime të spektrit mendor janë disa nga problematikat që kohët e fundit po njohin një rritje të konsiderueshme.

Mjekët psikiatër në Elbasan konfirmojnë se numri i personave me këto diagnoza është në rritje, madje dhe i atyre të hospitalizuar.

“Situata ne spitalin tone aktualisht është e menaxhueshme për momentin, kemi një numër prej 309 pacientesh te hospitalizuar pranë spitalit tonë. Ne mbulojmë tre qarqe, Qarkun Durrës, Korçe, Elbasan dhe bashkinë Lushnje, pra të gjithë pacientet e tyre hospitalizohen ne spitalin tonë. Ka një rritje te numrit për disa arsye; arsye e pare sepse ka një qasje ndoshta me gjithëpërfshirëse pranë mjekëve të famijes dhe specialistëve të shëndetit mendor dhe arsyeja e dytë që është më kryesorja është si pasojë e abuzimit substancat”.

Ndërsa për psikologen Mirela Gjoni një kategori tjetër e rrezikuar janë edhe profesionistet e kategorisë 35-55 vjeç.

“Perveç adoleshenteve, gjithashtu edhe një grupmoshe e cila rrezikon nga problemet e shëndetit mendor janë edhe profesionistet e kategorisë 35-55 vjeç. Shpeshherë ata kanë një ritëm punë shtëpi, ata kujdesen që të mbajnë punën, të sigurojnë për familjen të rrisin fëmijët, dhe e gjithë kjo është një vrap i tërë. Dhe për shkak te kësaj mbingarkese te madhe dhe mospasjes kohe për një kujdes për veten e tyre ata kalojnë në shumë sfida të shëndetit mendor, dhe megjithëse e shohin veten e tyre që s’janë mirë, ata drejtohen tek specialisti shumë vonë”- Mirela Gjoni, psikologe.

Pranimi i problemeve të shëndetit mendor është ende shume larg.

“Stigma ndaj pacienteve me probleme te shëndetit mendor është e larte. Ne shpesh bëjmë konsulta dhe me familjaret duke i mëshuar pjesës që të gjykojnë sëmundjen dhe jo te sëmurin, pasi i sëmuri nuk gjykohet e tillë është sëmundja, të tilla janë problematikat që has si pasoje e  problemeve të shëndetit mendor. Kemi pas familjare shume bashkëpunues, sepse ne trajtimin e pacientit në peshë të madhe zë edhe familja, por kemi pas edhe familjare jo dhe aq bashkëpunues”- u shpreh Andi Andoni.

Rritja e numrit të personave që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor po çon drejt ezaurimit edhe kapacitetet në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.