Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, beson se organizatorët e Samitit të Berlinit, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të gjejnë një qasje të balancuar lidhur me zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë në të ardhmen.
Siç raporton “Beta’, Vuçiq, duke folur për Samitin e 29 prillit në Berlin, tha se në atë takim janë vetëm përfaqësuesit e vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Në Berlin nuk do të jetë askush që nuk e ka njohur Kosovën, përveç Bosnjës e Hercegovinës, por edhe ai që do ta përfaqësojë do ta bënte atë [pranonte pavarësinë e Kosovës], por serbët nuk lejojnë”, tha Vuçiqi, përcjell Telegrafi.
“Delegacioni ynë do të jetë i vetmi atje që e kundërshton idenë për Kosovën e pavarur. Pozicioni ynë nuk është i lehtë, por sa i përket fjalëve se do të bëhet presion mbi neve në mënyrë që Serbia të bëjë ndonjë lëshim, këtë film nuk do ta shohin’, tha Vuçiq.
“Konsideroj se Merkel dhe Macron janë njerëz të mëdhenj dhe seriozë, të dy i respektoj shumë, besoj se do të gjejnë një qasje të ekuilibruar që problemet midis Beogradit dhe Prishtinës – për të cilat mendoj se në asnjë mënyrë nuk i kemi provokuar ne – do të zgjidhen në të ardhmen” , tha ai./Telegrafi/