Titujt 10-vjeçar të borxhit në Gjermani, kanë rënë në territor negativ në ditën e fundit tregtare të kësaj jave, për të parën herë që prej vitit 2016. Yield-i i borxhit 10-vjeçar gjerman ra në -0.001, prej shqetësimeve mbi ekonominë më të madhe të Europës. Të dhënat në muajt e fundit kanë shtuar spekulimet se Gjermania po i drejtohet një recesioni. Sipas ekonomistëve, rënie e interesave të borxhit mund të jetë rezultat i shqetësimeve për Brexit dhe dobësimit të industrisë.
Sektori i manifakturës në Gjermani u tkurr për të tretin muaj radhazi në Mars dhe rritja e prodhimit preku nivelin më të ulët në 6 vite. Borxhi 10-vjeçar i Qeverisë Gjermane, që shërben si referencë për të gjithë titujt europian, shihet si aktiv i sigurt për investitorët.
Në periudha të pasigurive dhe sfidave në tregje, investitorët zhvendosen te aktivet e sigurta si borxhi gjerman dhe metalet e çmuara. Rënia e yield-it në negativ tregon se ka rritje të kërkesës për titullin 10-vjeçar për shkak të pasigurive në ekonominë e Eurozonës.
Të dhënat e zyrës Federale të Statistikave në muajin Shkurt, treguan se Gjermania mezi shmangu recesionin në tremujorin e katërt 2018. Një tjetër burim shqetësimi është pasiguria në lidhje me Brexit. Të gjithë këto faktorë kanë shtuar alarmin te investitorët në rajon.
Banka Qendrore Europiane uli më herët gjatë muajit projeksionet për rritjen ekonomike në 1.1% për 2019-ën, nga 1.7% që priste më parë. /Telegrafi/