Nafta e papërpunuar ka shënuar ulje të çmimit, si rrjedhojë e rritjes së mbifurnizimit në tregun botëror, duke shkaktuar një shqetësim te investitorët të cilët me padurim presin takimin e radhës mes OPEC-ut dhe Rusisë muajin e ardhshëm, me shpresë se do të rezultojë me kufizime të prodhimit.
Pas një rritjeje me 1.5 për qind të mërkurën, në 63.45 dollarë për fuçi, marka ndërkombëtare e naftës së papërpunuar Brent, sot ka rënë sërish në 63 dollarë për fuçi, një ulje me 0.7 për qind.
Ndonëse edhe marka amerikane e naftës së papqërpunuar, West Texas Intermediate (WTI) të mërkurën shënoi një rritje të çmimit me 2.3 për qind, në 54.65 dollarë për fuçi, edhe ajo sot shënoi ulje në 54.28 dollarë për fuçi.
Një ditë më parë, presidenti i amerikan, Donald Trump falënderoi Arabinë Saudite për uljen e çmimit të naftës. Në një postim nga rrjetet sociale, Trump uljen në çmimet e naftës e ngjasoi me një reduktim të madh të taksave.
“Çmimet e naftës po bien. Kjo është si një reduktim i taksave për SHBA-të dhe botën dhe është e mrekullueshme. Shijojeni atë. Më parë ishte 82 dollarë ndërsa tani 54 dollarë. Faleminderit Arabisë Saudite, por ta tërheqim më poshtë!”, ka shkruar Trump. /Telegrafi/