Telegrafi

Shqetësime te Anglia rreth lëndimit të Kane – sulmuesi shihet duke çaluar

Anglia është e shqetësuar rreth lëndimit që ka pësuar Harry Kane, pasi u largua nga fusha gjatë pjesës së dytë të fitores 6-2 të Tre Luanëve në Kupën e Botës kundër Iranit. Lojtari thuhet se u pa duke çaluar.

Përfaqësuesja angleze ishte në formë të jashtëzakonshme gjatë ndeshjes hapëse të Kupës së Botës në Katar, teksa Jude Bellingham vendosi skuadrën e tij përpara pas 35 minutash, përpara se Bukayo Saka dhe Raheem Sterling të thellonin avantazhin pak para pushimit mes pjesëve.

Saka shënoi edhe të dytin, me Mehdi Taremin që shënoi një gol për Iranin disa minuta më vonë. Zëvendësuesit Marcus Rashford dhe Jack Grealish vulosën fitoren për skuadrën e Gareth Southgate, përpara se Taremi të shënonte një penallti në kohën shtesë.

Kane, i cili bëri dy asistime gjatë ndeshjes, por nuk arriti të fuste emrin e tij në listën e golashënuesve, u rrëzua duke mbajtur kyçin e këmbës pas një ndërhyrjeje të rëndë të Morteza Pouraliganji në minutën e 48-të. Dhe ai u largua nga fusha në minutën e 76-të, me Callum Wilson që hyri në vend të tij.

Sipas The Athletic, sulmuesi i Tottenham u pa duke ecur nëpër zonën e intervistave, me kyçin e djathtë të lidhur. Dhe ai gjithashtu po shfaqte një çalim të lehtë.

Kane ka shënuar 51 herë për Anglinë dhe mund të kalojë rekordin e Wayne Rooney prej 53 golash për Tre Luanët gjatë Kupës së Botës. Frontmeni i Spurs ka qenë në formë drithëruese për klubin e tij gjatë pjesës së hershme të sezonit dhe shënoi 12 gola në Ligën Premier në 15 ndeshje përpara se sezoni të ndalonte për turneun e Katarit. /Telegrafi/