Senatori demokrat Chris Murphy po i bën thirrje qeverisë federale të hetojë shqetësimet e sigurisë kombëtare të ngritura nga roli i Arabisë Saudite në Twitter pas blerjes nga Elon Musk.
Kjo pasi që, siç shkruan CNN, përcjell Telegrafi, Princi i Arabisë Saudite, Alwaleed bin Talal e ndihmoi Musk-un të financonte blerjen prej 44 miliardë dollarësh të Twitter (TWTR) duke kaluar mbi 1.9 miliardë dollarë aksionet e tij ekzistuese në kompaninë e mediave sociale.
Ky veprim e bën atë aksionerin e dytë më të madh në Twitter – pas Elon Musk.
“Ne duhet të shqetësohemi që sauditët, të cilët kanë një interes të qartë në shtypjen e fjalimit politik dhe ndikimin në politikën amerikane, tani janë pronari i dytë më i madh i një platforme të madhe të mediave sociale”, ka shkruar Murphy në një postim në Twitter të hënën.
Demokrati i kërkoi Komitetit për Investimet e Huaja në Shtetet e Bashkuara, i njohur si CFIUS, të kryejë një hetim mbi “implikimet e sigurisë kombëtare” të përfshirjes saudite.
CIFUS, një komitet ndërinstitucional i kryesuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit, shqyrton shitjen e bizneseve amerikane nga blerësit e huaj dhe ka aftësinë të bllokojë transaksionet që ngrenë shqetësime.
Kështu, edhe pse Musk tashmë e mbylli marrjen e Twitter në fund të javës së kaluar, ai mund të jetë ende subjekt i rishikimit të sigurisë kombëtare.
Sipas raportit vjetor të CFIUS për Kongresin e vitit 2021, paneli ka autoritetin të “rishikojë transaksionet në pritje ose të përfunduara” nëse një anëtar i komitetit beson se ka shqetësime për sigurinë kombëtare.
“Ekziston një çështje e qartë e sigurisë kombëtare në rrezik dhe CFIUS duhet të bëjë një rishikim”, tha Murphy, duke vënë në dukje se një tjetër platformë e madhe e mediave sociale, TikTok, është në pronësi të një kompanie kineze. “Ky është një trend i rrezikshëm dhe ne nuk duhet ta pranojmë atë”.
Megjithatë, së paku deri më tani, si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe Departamenti i Thesarit nuk pranuan të komentojnë në përgjigje të thirrjes nga Murphy. /Telegrafi/