Telegrafi

Shqetësim për mbarëvajtjen e protestës së opozitës

Ambasada njoftoi se kishte mësuar se Partia Socialiste ka aplikuar për leje nga policia e shtetit për të mbajtur një demonstratë të madhe publike në Tiranë. Si rrjedhim Ambasada do të jetë e mbyllur të premten dhe këshillon personelin e saj që të kufizojë të gjitha udhëtimet e panevojshme gjatë protestave.

“Ne iu kujtojmë qytetarëve amerikanë se çdo demonstratë e synuar të jetë paqësore, mund të kthehet në të dhunshme dhe të paparashikueshme. Duhet t’i mënjanoni nëse është e mundur. Demonstratat në një qytet kanë potencialin për të çuar në grumbullime të tjera publike apo demonstrata në zona të tjera të vendit”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë.

Ndërkohë, komisioni parlamentar i ngritur nga shumica pa votat dhe pjesëmarrjen e opozitës, pritet të kërkojë informacion dhe të dhënat paraprake të dërguara tek Presidenti i Republikës për organizimin e demonstratës së 21 janarit, informacionet që presidenca ka pasur gjatë demonstratës së 21 janarit, si dhe komunikimet me prokurorinë, gardën, SHISH dhe Ministrinë e Brendshme.

Komisioni do të kërkojë të njëjtin grup informacionesh edhe nga kryeministri Sali Berisha si dhe informacione nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë. Do të kërkohet gjithashtu informacion për rolin e policisë bashkiake gjatë 21 janarit si dhe rolin e disa policive të tjera bashkiake.

Ndërkohë Policia e Tiranës reagoi të enjten për demonstratën homazh që pritet të zhvillojë të premten Partia Socialiste, duke thënë se tubimi i opozitës është rrezik për sigurinë kombëtare. Policia njoftoi se nuk mund të garantojë mbarëvajtjen e tubimit, duke marrë parasysh edhe ngjarjet në demonstratën e 21 janarit, në të cilën u vranë katër demonstrues dhe mbetën të plagosur e të lënduar dhjetëra demonstrues të tjerë dhe policë. /Telegrafi/