Shpresim Uka, i dënuar me 15 vjet burg në rastin e njohur si “Bllaca 2” për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe tentativën për vrasje të ish-deputetit të LDK-së, Adem Salihaj, ka bërë një rrëfim të detajuar mbi raportet e tij me Nazim Bllacën dhe procesin gjyqësor.
Në një intervistë në Debat Plus, Uka ka treguar se e ka njohur Bllacën pas luftës, kur ky i fundit i kishte kërkuar ndihmë për ndërmjetësim me disa persona ndaj të cilëve kishte borxhe të mëdha.
“Nazim Bllacën e kam njohur në fund të vitit 2002 ose fillim të 2003-ës. E kam takuar disa herë, deri sa ai u largua për në Serbi për shkak të problemeve të tij. Më vonë, ai filloi procesin e njohur kundër shumë figurave në Kosovë. Ai kishte borxhe të mëdha dhe përmes shantazheve tentonte të siguronte para”, ka thënë Uka.
Ai ka përmendur një rast ku Bllaca kishte kërkuar 400 mijë euro nga biznesmeni Fahredin Gashi, por nuk kishte arritur të realizonte qëllimin.
Sipas Ukës, Bllaca ka qenë i rekrutuar nga UDB-ja, ndërsa kur u kthye në Kosovë, e kishte ftuar për takim në fshatin Sankovc, ku i kërkoi ndihmë për të ndërmjetësuar me njerëz të cilëve u kishte borxh, përfshirë biznesmenin Shaban Syla, të cilit i detyrohej 84 mijë euro.
Në rrëfimin e tij, Uka ka përmendur disa emra që sipas tij e kishin ndihmuar Bllacën dhe më pas kishin dëshmuar kundër tij në procesin gjyqësor të mbështetur nga EULEX-i.
“Për të arritur qëllimet e tij, dikush në Kosovë ka ndihmuar Bllacën. Këta persona janë Adem Salihhaj, Gani Geci, Ismet Arifi dhe Fatmir Prapashtica. Të gjithë ata kanë dëshmuar në favor të Bllacës dhe EULEX-it kundër meje”, ka deklaruar Uka.
Ky rrëfim ka ngritur sërish pikëpyetje mbi procesin gjyqësor “Bllaca 2” dhe rolin e dëshmitarëve të përfshirë në këtë rast./Tv Dukagjini/