Site icon Telegrafi

Shpresë për civilët në Siri: Evakuimi mund të rifillojë

Civilët e bllokuar dhe kryengritësit në qytetin e Aleppos, në Siri, po presin të largohen pas raportimeve se është arritur një marrëveshje e re që mundëson rifillimin e evakuimit.

Burime nga Qeveria siriane dhe kryengritësit deklarojnë se marrëveshja do t’u lejojë njerëzve të largohen nga disa enklava të rrethuara. Por, disa orë pas njoftimit, agjencitë e ndihmave humanitare janë ende në pritje që të rifillojnë operacionet.

Të paktën gjashtëmijë persona u larguan nga lindja e Aleppos gjatë armëpushimit të brishtë ditën e enjte, por një ditë më pas evakuimet u ndërprenë.

Njësoj si për Aleppon, marrëveshja pritet të përfshijë evakuimin edhe nga dy qytete të tjera të kontrolluara nga kryengritësit dhe dy të tjera që janë bastione të qeverisë.

Në zonën e Aleppos ka patur në javët e fundit një intensifikim të epërsisë së trupave qeveritare. Mëngjesin e së premtes atje u verifikuan trazira kur evakuimi përgjatë korridorëve jashtë qytetit drejt zonave të kontrolluara nga rebelët, Khan al Asal dhe Khan Touman, u ndalua.

Qeveria deklaroi se luftëtarët rebelë kishin hapur zjarr ndaj autokolonave në pikën e kontrollit në lokalitetin Ramuseh, ndërkohë që rebelët akuzuan qeverinë se qëlloi e para. /Top Channel/

Exit mobile version