Një vaksinë e personalizuar kundër kancerit që ndalon rikthimin e sëmundjes, pritet të nisë përdorimin nga NHS (Shërbimi Kombëtar Shëndetësor në Angli) brenda pesë viteve, ka thënë një shef i shëndetësisë së atjeshme.
Ato do të përdoren për të trajtuar deri në 10.000 pacientë me disa lloje të ndryshme të kancerit, duke përfshirë melanomën e avancuar, kancerin e prostatës, kancerin në kokë dhe në qafë.
Vaksinat e stilit anti-COVID mund të bëhen për të synuar sekuencat ose mutacionet unike gjenetike të një kanceri të caktuar.
Kjo mund ta ndihmojë organizmin t’i shkatërrojë në mënyrë selektive qelizat e kancerit duke kursyer qelizat e shëndetshme, duke rezultuar potencialisht në më pak efekte anësore në krahasim me kimioterapinë.
Drejtori kombëtar i NHS për kancerin, profesor Peter Johnson, ka thënë se vaksina është një nga “transformimet më të mëdha” në trajtimin e sëmundjes në dekadën e fundit.
Testimet klinike kanë për qëllim të ndihmojnë në trajtimin e pacientëve nëpërmjet përdorimit të vaksinave të personalizuara të kancerit mRNA dhe imunoterapive.
Teknologjia është e ngjashme me atë të përdorur në vaksinën e Pfizer/BioNTech kundër coronavirusit – transmeton The Sun.
Një platformë e re e nisjes së vaksinës kundër kancerit (CVLP) do të krijojë një bazë të dhënash për të ndihmuar në identifikimin e shpejtë të pacientëve me kancer që mund të kualifikohen për prova të mundshme.
“Rikthimi i kancerit pas operacionit mbetet një problem i madh edhe pse ne diagnostikojmë më shumë kancere herët, kështu që do të shohim më shumë njerëz që kryejnë operacione për ta hequr tumorin primar, por që mbeten në rrezik të përsëritjes”
“Dhe mundësia për ta përdorur vaksinimin për të zvogëluar rrezikun e përsëritjes në atë grup njerëzish është shumë tërheqëse”, ka thënë prof. Peter për The Times Health Commission.
Megjithatë, përdorimi i vaksinave për ta përmirësuar aftësinë e organizmit për të dalluar dhe shkatërruar tumoret duke parandaluar kancerin te pacientët e shëndetshëm është “ende spekulative” – ka shpjeguar.
Profesori tha se do të ishte më e dobishme nëse do të ishim në gjendje t’i kapnim kanceret herët përpara se të përparonin.
Shkencëtarët aktualisht po provojnë një test gjaku për kancerin, të quajtur testi Grail, i cili nëse është i suksesshëm do të zbulojë format e hershme të sëmundjes. /Telegrafi/