Site icon Telegrafi

Shprehjet frymëzuese në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit

Çdo vit, liderë nga e gjithë bota mblidhen në Davos, qytetin zviceran të mbuluar nga bora, për të prezantuar mendimet e tyre mbi gjendjen aktuale të çështjeve botërore.

Por World Economic Forum (WEF) u ka dhënë mundësinë personaliteteve të shquara të përcjellin disa prej leksioneve që kanë mësuar gjatë jetës dhe karrierës së tyre.

CNBC ka bërë një përzgjedhje të dhjetë shprehjeve frymëzuese Forumi Ekonomik Botëror në vitet e mëparshme.

Sillni ndryshimin

“Shpesh, ne mendojmë se duhet të bëhemi kryeministër, president apo CEO i një kompanie për të sjellë ndryshimin – jo, nuk është kështu. Ju mund ta sillni ndryshimin në çdo moment, në çfarëdo moshe.

Ndryshimi është i mundur, mos e kufizoni veten, mos e ndalni veten, pikërisht sepse jeni i ri”.

-Malala Yousafzai, Fituese e çmimit Nobel për paqen gjatë një diskutimi mbi përvojën e saj në jetë në vitin 2018, shkruan ‘monitor’.

Fuqia e diversitetit

“Diversiteti nuk është thjesht një politikë e shëndetshme sociale. Diversiteti është motori i inovacionit, ai gjeneron kreativitetin që pasuron botën.

Ne mund ta përqafojmë diversitetin dhe idetë e reja që lindin prej tij, duke promovuar në të njëjtën kohë identitetin dhe vlerat në komunitete të sigurta dhe të qëndrueshme”.

-Justin Trudeau, kryeministër i Kanadasë në fjalimin e mbajtur në vitin 2016, “The Canadian Opportunity”, përcjell albinfo.ch.

Mos e bëni të njëjtin gabim dy herë

“Ju mund të bëni shumë gabime përgjatë rrugës, nuk ka asgjë të keqe. Është e natyrshme të bëni gabime, për sa kohë mësoni prej tyre. (Im atë dhe CEO) Vince ka një shprehje: “Është normale të bëni gabime, por mos bëni të njëjtin gabim dy herë”.

-Stephanie McMahon.

Vijoni të zbuloni gjëra të reja

“Udhëtoni nëpër botë, zbuloni botën, pasi në këtë botë të së ardhmes, do të kemi nevojë për njerëz të ndryshëm, që flasin gjuhë të ndryshme, me njohuri të ndryshme.

Mënyra më e mirë për të mësuar një gjuhë tjetër është ta jetoni atë në një vend tjetër, por të mësoni edhe gjithçka rreth kulturave të tjera. Në këtë botë globale do të jetë gjithnjë e më e rëndësishme ndjeshmëria ndaj kulturave të tjera”. “Jini të përgatitur të mësoni gjatë gjithë jetës suaj. Dijet janë të arritshme kudo, në çdo vend, kohë, por edhe në çdo moshë”.

-Alain Dehaze, drejtuese ekzekutive e Adecco, duke folur në një panel për të ardhmen e arsimit në vitin 2016.

Veproni

“Mendoj se nëse heshtni kur shikoni një mizori, atëherë ju jeni duke i bërë një padrejtësi më të madhe asaj mizorie”

-Sharmeen Obaid-Chinoy, regjisore fituese e çmimeve Oskar dhe Emmy, në 2017, teksa diskuton se si puna e saj është një mjet për të nisur biseda të vështira.

Zhvillimi personal

“Dështimi është në njëfarë mënyre një dhuratë për të gjithë ne, pasi nëse nuk do të kishim dështuar, ne do të mbeteshim vetvetja për të gjithë pjesën tjetër të jetës. Ne nuk do të përmirësoheshim. Nuk do të sforcoheshim që të përmirësoheshim, për të shmangur vuajtjen në të ardhmen.

Duhet të kuptojmë që kohërat e vështira, humbjet, dështimet, gabimet, nuk janë gjithmonë gjëra negative. Në të vërtetë, mund t’ju ndihmojnë që t’ia nisni nga e para, të zhvilloheni dhe të përmirësoheni”.

-Nico Rosberg, pilot i F1 gjatë një diskutimi në vitin 2017.

Shfaqni ndjeshmëri

“Drejtoni me ndjeshmëri: është një cilësi që ne e nënvlerësojmë si shoqëri, por shpesh një ndër sfidat më të mëdha gjatë krizave apo konflikteve është që ne rrallë e kuptojmë apo e vëmë veten në vendin e tjetrit. Sot, ritmet e jetës janë kaq të shpejta, saqë ne nuk ndalemi asnjëherë dhe të bëjmë një hap pas dhe të shohim se si ndikojnë veprimet tona tek ata që kanë më pak privilegje apo pushtet se ne. Do t’u lutesha liderëve në botë që të qeverisnin me ndjeshmëri”.

– Sinead Burke, akademik, shkrimtar, mbështetës i njerëzve me aftësi të kufizuara, gjatë një bisede për promovimin e inclusivitetit në 2018

Bashkëpunoni për të mirën

“Sikur të bashkoheshim për të mbledhur dijet tona, energjinë tonë, zemrat tona, shpirtin tonë, pasuritë tona. Duke bashkuar forcat me heronj të zakonshëm në planet, për një qëllim të vetëm, për të sjellë dritë dhe paqe – në çdo cep të botës. Besoj se kjo është e mundur. E di që kjo është e mundur”.

-Forest Whitaker, aktor dhe i dërguari i posaçëm i UNESCO-s për paqe dhe pajtim, gjatë një diskutimi për punën humanitare në “23rdAnnual Crystal Awards” në Davos

Vendosni kufij

Mos e mbushni kurrë telefonin tuaj pranë krevatit. Duhet të ketë një kufi të qartë mes jetës suaj gjatë ditës dhe natës – kur ju shkëputeni nga bota për të marrë energjitë e nevojshme. Për këtë gjë duhet vullnet – duhet ta themi, të gjithë ne jemi të varur nga telefonat, jemi të gjithë të varur nga të qenët “gjithnjë online”.

– Arianna Huffington, themeluese e Thrive Global, gjatë një diskutimi për shëndetin dhe mirëqenien në 2017 (thënë për CNBC)

Përkufizoni leadership

“Lidershipi i vërtetë përbëhet nga katër elemente: truri, shpirti, zemra dhe vullneti”

Klaus Schwab, drejtor ekzekutiv i World Economic Forum, në fjalimin mikpritës në Davos 2015./Telegrafi/

Exit mobile version