Site icon Telegrafi

Shpohet rezervuari gjigant, rrugët e qytetit gjerman mbushen me çokollatë të shkrirë  

Do të ishte e zakonshme nëse në ndonjë skaj të rrugës do të gjenim një çokollatë në këto ditë në prag të festave të fundvitit, por të shohësh rrugët e tëra të mbuluara është diçka e padëgjuar deri më tani. Një gjë e tillë ka ndodhur në Gjermani, kur një ton çokollatë e shkrirë është derdhur nëpër rrugë.

Banorët e qytetit Westonnen, 25 milje në perëndim të Dortmundit, mbetën të habitur kur të hënën mbrëma e kuptuan se një rezervuar gjigant më çokollatë në afërsi të fabrikës DreiMesiter ishte derdhur nëpër rrugë, transmeton Telegrafi.

Ekipet e zjarrfikësve ishin telefonuar kur çokollata e shkrirë mbuloi rrugët në afërsi të fabrikës së çokollatës, të cilët me urgjencë i pastruan. Rrugët ishin mbyllur për më shumë se dy orë, derisa zjarrfikësit së bashku me kompanitë e pastrimit hoqën çokollatën.

Drejtori i fabrikës së çokollatës Markus Luckey, ka deklaruar se një rezervuar ishte shpuar ku si pasojë një ton çokollatë e shkrirë është derdhur nëpër rrugë. Ai gjithashtu pranoi se janë detyruar të ndalin prodhimin përkohësisht, pikërisht në kohën kur kërkesat janë rritur në masë të madhe. /Telegrafi/

 

Exit mobile version