Poezi nga: Tomislav Marković
Përktheu: Fadil Bajraj
Hyrjen në esencën e shoshitur
Shpirtësia serbe është e pastër etnikisht.
Rregullisht bën dush me ujë të shenjtë.
Lustron çizmet.
I lan duart para dhe pas buke.
Pastron kamën nga gjaku i tharë.
Gjithçka duhet të jetë e për-sos-ur!
Shpirtësia serbe përgjon në të gjithë ne.
Si bombë e kurdisur që pret dakikun e vet.
Ndërsa ditën e çastin e hakmarrjes e dinë sall baballarët e kombit.
Të cilët e shfrytëzojnë çdo mundësi për t’na i qirë nënat.
Shpirtësia serbe ka qejf të sajojë enigma.
Sa engjëj mund t’i mbajë maja e bajonetës?
Sa rrugë mund t’i kalojë kufoma nëse ia mësyen në këmbë?
Nëse ia kanë hedhur trutë në erë, a është koka gjysmë e mbushur
apo gjysmë e zbrazët?
Jeleqkinje, barjaqkinje – kë e doni?
Përgjigjet do të merren në përgjegjësi.
Shpirtësia serbe është mbretëri shtazore,
Mjedis natyral ku jetojnë shqiponjat e bardha, tigrat,
akrepat, ujqit serbë, fajkonjtë,
grerëzat e verdha, panterat dhe merimangat.
Aty mbretëron pisllëku.
Aty gjithçka është e verbër,
Aty gjithçka është e kuptueshme,
Aty gjithmonë luftohet.
Shpirtësia serbe nuk kapet me mend.
Ama me parabelum kapet.
E shtëna në kokë hap dritare në një botë të re,
nëpër plagën e hapur pamja gjuan
në gjithçka të dukshme dhe të padukshme.
Shpirtësia serbe dëgjohet nga Kosova.
Kutërbon në mish të djegur njeriu.
Të cilit në mënyrë drastike i ka ra çmimi,
nuk shërben më as si mjet për allishverishe.
Shpirtësia serbe është autobus që i bart të burgosurit
për t’i ekzekutuar në Potoçar.
Është kamion frigorifer cit më cit me kufoma shqiptare.
Tren, i ndaluar në Shtrpce.
Buldozer që zhvendos mbetjet e trupave njerëzor.
Shpirtësia serbe është gjithmonë në lëvizje.
Shpirtësia serbe ka detyruar babë e bir të masturbojnë.
Në emër t’Atit e t’Birit e t’Shpirtit t’Shenjtë.
Sepse Zoti është serb.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë.
Shpirtësia serbe është eksponati kryesor
në muzeun imagjinar të gjenocidit.
I cili kurrë nuk do të ndërtohet.
Sepse ne jemi duke ndërtuar tempull, tempulli na ndërton ne.
Shpirtësia serbe është svastikë ortodokse.
Në të cilin duhet kryqëzuar çdo gjë që nuk është serbe.
Pikë së pari atë Jezu Krishtin e pistë, e pastaj me radhë.
Lista është e gjatë si vit drite.
Përvishjuni punës!