Telegrafi

Shpikësi i pistoletës Glock vdes në moshën 94-vjeçare

Inxhinieri austriak Gaston Glock, i cili shpiku pistoletën popullore Glock, ka vdekur në moshën 94-vjeçare, raporton BBC.

Kompania Glock tha se vepra e themeluesit do të vazhdojë “në frymën e tij”, transmeton Telegrafi.

Pistoleta Glock përdoret nga forcat e armatosura, anëtarët e forcave të sigurisë, civilët e licencuar dhe kriminelët në të gjithë botën.

Një kontribut të madh në popullaritetin e tij dha kultura pop amerikane, si dhe paraqitja e tij në filmat e Hollivudit si “The Matrix Reloaded”.

Pavarësisht nga popullariteti i krijimit të tij, Glock u përshkrua si një miliarder që kaloi shumicën e kohës në një pronë buzë liqenit në Austri.

Emri i tij u shfaq rrallë në media dhe u bë kryefjalë vetëm kur u botua një libër për biznesin e tij në vitin 2012, kur u divorcua nga gruaja e tij e parë në vitin 2011 dhe kur një bashkëpunëtor biznesi u përpoq të organizonte vrasjen e tij në fund të viteve nëntëdhjetë.

Ai punësoi një mundës profesionist për ta vrarë, por megjithëse e goditi disa herë në kokë me çekiç gome, 70-vjeçari Glock u kundërpërgjigj dhe arriti ta rrëzojë atë.

Kompania deklaroi se Gaston Glock përshkroi drejtimin strategjik të Glock Group gjatë jetës së tij, dhe se ai e përgatiti atë për të ardhmen.

Glock revolucionarizoi botën e armëve të vogla dhe arriti të vendosë markën Glock si një lider global në industrinë e pistoletës.

Glock lindi në vitin 1929, studioi inxhinieri mekanike në Vjenë dhe më vonë themeloi kompaninë. Në fillim të viteve tetëdhjetë, zgjeroi biznesin e tij duke përfshirë pajisje ushtarake dhe iu përgjigj thirrjes së ushtrisë austriake, e cila kërkonte pistoleta të reja.

Projektoi dhe patentoi një pistoletë gjysmë automatike të lehtë 9 mm me një karikator me 18 fishekë që mund të ngarkohet shpejt dhe lehtë. Pistoleta është bërë shumë e popullarizuar me ushtarakët dhe forcat e rendit në mbarë botën. /Telegrafi/