Telegrafi

Shpëton veten dhe motrën nga rrëmbyesi, policia amerikan lavdëron 8-vjeçarin (Video)

Një djalë 8-vjeç nga Ohio në SHBA, ka fituar epitetin e heroit pasi ka arritur ta shpëtojë fillimisht veten dhe motrën nga një rrëmbyes.

Incidenti i tmerrshëm ka ndodhur të enjten në Midletown, rreth 40 kilometra në verilindje të Sinsinatit, transmeton Telegrafi.

I riu i identifikuar vetëm si Chens dhe motra e tij si Skilar, po qëndronin të ulur në karriget e pasme brenda veturës së gjyshes Nite Kobarn e cila kishte dërguar në spital një grua.

E në momentin që kishin mbërritur në spital, gjyshja e tyre kishte dalë nga vetura me gruan që e kishte sjellë për shkak të ankesave.

Megjithatë gjithçka ndryshoi kur pak sekonda më pas një burrë u fut në veturë dhe tentoi të largohet nga vendi i ngjarjes, sikur të mos kishte ndodhur asgjë e keqe.

“Djaloshi ka hapur menjëherë derën për të ikur, atij iu bashkua edhe vajza e vogël, por ishte rrëmbyesi ai që e kapi për rroba vogëlushen duke mos e lënë të dalë. E derisa ajo tentoi sërish, vëllai i saj i vogël e tërhoqi dhe arriti ta shpëtojë nga rrëmbyesi “, thuhet në raportin e policisë së Midtletown.

E veprimi i tyre dhe i gjyshes që u mundua t’i shpëtojë është kapur nga kamerat e sigurisë, pamje këto të cilat i ka shpërndarë policia në profilin e tyre në Facebook.

Në video shihet se si vetura largohet nga hyrja kryesore e spitalit si dhe dera e hapur e veturës që hapet befasisht. Aty shihet Kobarn duke vrapuar pas veturës dhe duke tentuar ta kapë shoferin, pasi e dinte se brenda ishin fëmijët.

Megjithatë ishte reagimi i shpejtë i policisë që arrestuan rrëmbyesin. Bëhet fjalë për Dalvir Sing mbi të cilin rëndojnë dy pika të aktakuzës – sulm dhe vjedhje. /Telegrafi/