Leonardo Bonucci do të jetë jashtë fushave të blerta për vetëm tri ditë.
Reprezentuesi italian kishte lënduar muskulin në disfatën e mbrëmshme miqësore kundër Gjermanisë dhe u desh me barrelë të dilte prej fushës.
Fillimisht mendohej se mbrojtësi italian do të mungojë shumë gjatë, por pas ekzaminimeve mjekësore u konstatua që Bonuccit i nevojitet një pushim tre ditor, transmeton Telegrafi.
“Pas dëmtimit në ndeshjen e djeshme miqësore mes Italisë dhe Gjermanisë, Leonardo Bonucci iu nënshtrua testeve mjekësore për të konstatuar shkallën e dëmtimit” shkruan në një deklaratë në faqen zyrtare të Zonjës së Vjetër.
“U konstatua se ka një tërheqje të vogël muskulore. Mbrojtësi do të qëndrojë për tre ditë jashtë dhe më pas do të kthehet në stërvitje ”
Bonucci është i suspenduar për ndeshjen e së shtunës kundër Empolit, kështu që do të rifillojë trajnimin me skuadrën javën e ardhshme. /Telegrafi/