Rreth 21 vite më parë, më 15 janar 1999, u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Në fshatin që pak kush ia dinte emrin, u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e tyre edhe një grua, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.
Në fshatin Reçak, i cili gjendet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, dy dekada më parë, i shpëtoi vdekjes Aziz Beqiri, të cilit iu masakrua nipi dhe gjashtë të afërm të tjerë.Tre muaj para masakrës së Reçakut, ishte vendosur misioni i OSBE-së, detyra e të cilëve ishte që të siguroheshin që po ndaleshin luftimet mes forcave serbe dhe UÇK-së.
E, shefi i misionit ishte William Walker, një ish-diplomat amerikan.E këtë masakër presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka quajtur një krim të fabrikuar. Ai ka akuzuar edhe Walkerin për falsifikim të saj.Sipas Aziz Beqirit, për këtë masakër di e gjithë bota dhe nuk do të ketë mundësi të mohohet nga askush.
“Ne nuk presim mirë me fol as Daçiqi as Vuçiqi, por ne nuk bën si të thirrin ata në bisedime me shku, pa disa kushte. Le t’i pranon viktimat, le të kërkon falje ndaj viktimave, jo vetëm të Reçakut por të Kosovës”, thotë Beqiri.
Ai ka pasur edhe një mesazh për politikbërësit në Kosovë. Beqiri po kërkon që të mos shkohet në dialog derisa kjo masakër e me qindra të tjera, po mohohen nga shteti serb.“Mesazhi im, unë kisha thënë që në dialog mos të shkojnë pa i njohur viktimat e Kosovës, jo vetëm të Reçakut. Edhe me iu kërku falje, tani le të bisedojnë me serbët e Kosovës, ta shohim se çfarë po duan ata, e pastaj edhe për nivel të shtetit, le të shkojnë edhe në Beograd”, shton Beqiri.
Ndryshe, reagimi i Vuçiqit ka ardhur pasi një gjykatë në Kosovë dënoi me dy vjet burg një ish-ministër serb në Qeverinë e Kosovës, i cili e kishte quajtur masakrën trillim.