Site icon Telegrafi

Rrëfimi interesant i 75 vjeçarit: I shpëtova likuidimit të UDB-së në Kosovë, por gjeta tmerrin në burgjet e Shqipërisë komuniste

Nuk është lodhur asnjëherë duke e dashur vendin e tij, edhe pse kjo i kishte kushtuar me shumë probleme në jetë. Quhet Fazli Deliu, 75 vjeçar nga Çabra e Zubin Potokut. Për 30 vjet ai ka qëndruar i izoluar nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipërinë komuniste.

Kushtet e vështira, këtë njeri nuk e kishin lënë që të kryente më tepër se katër vjet shkollë, mirëpo falë gjyshit të tij Zenunit, ai qysh në odat e atëhershme kur këndoheshin këngë për Hasan Prishtinën, Azem Bejtën, e shumë trima të tjerë, e frymëzonin Deliun e vogël që të kishte shumë guxim dhe atdhedashuri.

Deliu në një rrëfim për Telegrafin thotë se ka qenë një djalë që nuk i duronte fyerjet e serbëve në kohën e rinisë së tij në Kosovë, që udhëhiqej nga komunistë serbë.

Në moshën 16 vjeçare fillon përndjekja e Deliut

“Të rinjtë serbë kishin privilegje që kishin nga pushteti i tyre. Ata ishin mësuar që të dominonin çdoherë ndaj të rinjve shqiptarë, t’i shanin, rrahin e t’i fyenin”, tha ai, duke shtuar se kjo nuk ndodhte kur ai ishte prezent, pasi nuk lejonte diçka të tillë.

“Shumë herë jam kacafytur me serbë që fyenin shqiptarët. Dhe kjo më kishte shndërruar si halë në sy të pushtetarëve, të cilët kanë ushtruar dhunë dhe torturë ndaj meje”, tha ky njeri sypatrembur për Telegrafin.

Në moshën 16 vjeçare, Deliut i shtohen ndjekjet, rrahjet e burgosjet për të mos pushuar me vite.

“Më kanë mbajtur me biseda me net të tëra pa ngrënë e pa pirë, pa më vizituar as familja. Në moshën 23 vjeçare më dënuan me dy vjet burg. I mbajta në burgun e Nishit, i torturuar në mënyrat më brutale nga udb-ashët”, tregoi ky njeri i lodhur nga mundimet e jetës.

Pas daljes nga burgu i Nishit, rrethanat që udb-ashët krijonin për Deliun, kanë bërë që ai pas një kohe shumë të shkurtër të bie në kontakt me njerëz që i kishin sugjeruar të kalonte në Shqipëri, për të cilën kishte dashuri të flaktë.

“E kalova ilegalisht kufirin përmes Gjakovës. Vendosem në qytetin e Bajram Currit. Ishte shumë e vështirë ndarja nga vendlindja, familja, nga nëna që e doja aq shumë, por ky ishte vendimi që duhej të merrja për t’i shpëtuar likuidimit nga UDB-ja”, tha Deliu, ku loti e tradhtoi gjatë rrëfimit të tij.

Mësynë Shqipërinë, në mënyrë që të shpëtonte kokën nga regjimi serb, mirëpo në vend të shpëtimit, ai kishte hasur në një pushtet të egër që s’kishte asgjë të përbashkët me njerëzoren.

 

 Pas largimit nga Kosova, burgoset edhe në Shqipëri

“Burgosem më 23 tetor të vitit 1966, e kam shënuar si tatuazh në dorën time. Gjashtë muaj më kanë mbajtur në hetuesi në Bajram Curr, mandej pasi kam thënë se këtu qenka më keq sesa në Kosovë, më kanë dënuar me 10 vjet burg, që i kam mbajtur në burgun e Shijakut e të Rubikut në Mirditë”, ka thënë Deliu.

Pas kësaj periudhe kohore që kishte mbajtur në burg, ai kishte shpresuar se do të dilte dhe të fillonte një jetë të re, por komunistët i kishin përgatitur një kurth tjetër.

“Kishin dëgjuar se unë nuk jepem përpara dhunës dhe torturës dhe përpara askujt. E kishin sjellë aty një njeri nga i cili dridheshin të gjithë, i cili erdhi tek vendi ku ishim të vendosur rreth 40 të burgosur kosovarë të ndarë me tel nga pjesa tjetër e të burgosurve dhe thirri emrin tim në mënyrë që të më njihte. Filloi të më shante të gjithë familjen. Unë e prita derisa e kreu dhe në fund e luta të më lejonte t’i thosha vetëm një fjalë. Pasi më dha leje, ia shava Enver Hoxhën dhe të gjithë komunistët. Në atë moment i ka rënë bilbilit dhe më kanë dërguar në qeli, por tani në burgun e Rrëshenit pa pasur kontakt me askënd. Aty kam qëndruar gjatë”, tha ai, duke shtuar se gjatë kohës së mbajtjes së burgut, ai punonte në minierën e Spaçit.

Ai tregon se punonte punët më të rënda fizike 16 orë në ditë, kurse 8 orët e tjera i kalonte në qeli natën.

‘Shoqërohej’ me një mi dhe hardhucë. 

“Në qelinë e burgut, nga një vrimë, një ditë del një mi me të cilin shoqërohem, madje arrita të zbus miun. Më pas del edhe një hardhucë, të cilën duke i ofruar insekte të ndryshme, po ashtu arrita ta zbus. Kështu jetën e kalova me një mi dhe hardhucë, duke komunikuar me ta”, rrëfen Deliu për kushte jonjerëzore në burgun e Rrëshenit.

 

Pas Rrëshenit, 10 vjet burg edhe në Elbasan

Pas Rrëshenit, 10 vjet me vuajtje pothuajse të njëjta i kalon në burgun e Elbasanit. Ai rrëfen edhe për mizoritë e përjetuara në burgun e Zejnenit të Lezhës.

“Aty më ndodhë katastrofa më e rëndë. Para 2500 të burgosurve më rrahën për vdekje, duke më alivanosur, eprori Agron Kapo (nipi i Hysni Kapos), duke m’i shtuar rrahjet dhe duke më lagë me ujë në ditët e ftohta të janarit dhe kështu gati çdo javë”, tregon vuajtjet e tij rrëqethëse, Fazli Deliu.

Nga këto të rrahura, Fazliu ka mbetur me pasoja të rënda shëndetësore. Gjatë gjithë natës ai mund të bëjë gjumë vetëm 30 minuta, nuk ka forcë dhe është i traumatizuar tërësisht.

 

Deliu vazhdoi burgun në Burrel, së bashku me tre shokë nga Kosova

Por, vuajtjet e Fazliut nuk mbarojnë me kaq. Ato i vazhdohen duke e izoluar në burgun famëkeq të Burrelit, ku qëndron 4 vjet së bashku me tre shokë nga Kosova, Nazmi Berishën nga Prishtina, Idriz Zeqirin nga Peja dhe Hysen Bukoshin nga Theranda.

Dhimbja më e madhe për të ishte se për këto 27 vjet qëndrimi në burgjet e regjimit jonjerëzor të Enver Hoxhës, kurrë nuk ka pasur informata për familjen e tij në Kosovë, e as ata për Fazliun.

Deliu vuri në pah se pas lirimit në vitin 1993, ai kishte ardhur në Kosovë. Rrëfen në detaje për rrugën deri në Mitrovicë dhe thotë se iu ka dukur sikur autobusi nuk po lëvizte nga vendi. Mandej ai përshkruan momentet e para në Mitrovicë, ku nuk e kishte njohur qytetin që kishte ndryshuar. Nuk i kishte njohur as vëllezërit. Babën e kishte gjetur të gjallë, ndërsa nëna i kishte vdekur dy vite para se të lirohej nga burgu.

Historia e tij nuk kishte përfunduar këtu. Regjimi serb që kishte intensifikuar dhunën ndaj shqiptarëve në atë kohë, i kishte rënë në fije se Deliu ishte kthyer në Kosovë. E kishin marrë dhe torturuar prapë, por kishte mbijetuar.

Jeta e vështirë e ndjekë edhe sot, ai jeton në skamje  

Sipas tij, në kohën e luftës në Kosovë, ai edhe një herë detyrohet të mësynte Shqipërinë, mirëpo kësaj radhe ishte mirëpritur. Pas përfundimit të luftës ishte kthyer në Mitrovicë ku kishte filluar jetën e re, por në kushte të rënda dhe pa përkujdesje. Deliu tregon se vitet e pasluftës ka jetuar në tendë, mandej në strehimore dhe më shumë ka ngrënë bukë thatë.

“Jetoj i vetëm, me një pension. Kush ka mundur po më ndihmon, ndryshe nuk kisha qëndruar deri tani”, u shpreh mes tjerash ai.

Ai jetoi në një strehimorë kolektive në Mitrovicë për gjashtë vite me radhë. Për një jetë më të mirë në shkurt të vitit 2009, zyrtarët komunalë të Mitrovicës dhe ata të Skenderajt, ia mundësuan që të vendosej në Shtëpinë e Pleqve në Skenderaj.

“Aty njëmend nisa një jetë që ka kuptim, ku dikush përkujdesej për ushqimin tim, për rrobat dhe për gjërat tjera të nevojshme për një të moshuar, dhe për një njeri që ka vuajtur më shumë se që mund të tregohet”, shprehet Deliu.

Mirëpo, pas 14 muaj qëndrimi në Skenderaj, ai braktis shtëpinë e pleqve dhe kthehet sërish në strehimoren e mëparshme në Mitrovicë për të vazhduar jetën e tij.

“Kam pasur tretman të veçantë dhe përkujdesje të posaçme në shtëpinë e pleqve në Skenderaj, për çka falënderoj nga zemra gjithë personelin atje, por një jetë të tërë kam ëndërruar Çabrën dhe Mitrovicën, andaj dua që këtë ëndërr ta jetoj sa më afër”, tha ai.

Deliu sot jeton në strehimoren në Mitrovicë, mirëpo vazhdon të ketë jetë të rëndë. Ai tregon se shpesh mbetet pa ngrënë dhe nga vuajtjet në jetë ai shpesh nuk e kontrollon veten, duke bërë gjëra të pamenduara.

“Shumë shpesh kam dashur ta vras veten. Kam mbetur me ditë të tëra pa bukë. Shpesh kërkoj edhe nëpër kontejner të bërllokut që të ushqehem. Dhe nga kjo krizë që më ka kapluar kam djegur banesën në të cilën jetoj. Nga flakët janë shkatërruar edhe tubat e ujit dhe rryma elektrike. Nuk kanë ardhur të ma ndreqin”, përfundoi rrëfimin plaku nga Mitrovica, Fazli Deliu. /Telegrafi/

Exit mobile version