Edison Begaj, i cili i shpëtoi atentatit me katër plumba para disa javësh, ka rënë në prangat e policisë gjatë mbrëmjes së sotme.
Forcat Renea dhe policia e Vlorës zbarkuan në Lungomare pasi ishin në kërkim të personave të shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje. Gjatë operacionit, u arrestua Begaj, i cili po lëvizte me armë zjarri pa leje.
Ndërkohë, u shoqëruan për në komisariat edhe 10 persona të tjerë.
Mbrëmjen e 29 majit, Begaj i shpëtoi atentatit me 4 plumba në sy të dy fëmijëve nga një person i kamufluar si polic.
Në pamjet e siguruara nga Top Channel duket se Edisoni ka qenë duke hapur portën e banesës së tij dhe në makinë ka qenë me dy fëmijët.
Ai ka dalë nga makina dhe kur është kthyer, një person ende i paidentifikuar i maskuar dhe i kamufluar me rroba policie ka ardhur nga rruga kryesore duke iu drejtuar makinës.
Në një distancë shumë të afërt, ai e qëlloi me armë fillimisht në bark, Begaj filloi të sprapset dhe disa nga plumbat e kapën në pjesën e këmbëve. Ai u shtri përtokë, ndërsa fëmijët u frikësuan nga të shtënat. Më pas, Begaj u dërgua me urgjencë në spital për të marrë trajtim mjekësor. /TCH/