Telegrafi

Shpëtohet piloti që qëndroi disa orë në krahun e një aeroplani që ra në një zonë të mbushur me aligatorë dhe mushkonja në Florida

Disa pamje të publikuara thuhet se tregojnë një pilot duke u shpëtuar të martën, disa orë pasi aeroplani i tij ra në Florida Everglades.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet tregojnë një burrë që qëndronte në krahun e aeroplanit të rrëzuar në Florida Everglades ndërsa priste të shpëtohej.

Sipas Administratës Federale të Aviacionit, Cessna 172M me një motor u rrëzua rreth orës 2:20 të mëngjesit të së martës, por Zyra e Sherifit tha se nuk morën raporte për një aksident të tillë deri rreth orës 10:00.

Aeroplani thuhet se kishte përfunduar në një zonë shumë të izoluar, ku mund të qaset vetëm nga mjete të specializuara.

Njësitë kryen një operacion për ta nxjerrë në mënyrë të sigurt atë nga aeroplani dhe e transportuan atë në Spitalin Rajonal Memorial në Hollywood për t’u trajtuar për plagët e tij.

“Ai ishte atje që nga ora katër në mëngjes, atje ka aligatorë, mushkonja dhe gjithçka tjetër që është atje”, ka thënë kapiteni Andy Borges.

Për momentin, zyrtarët nuk kanë dhënë asnjë informacion mbi atë që çoi në rrëzimin e aeroplanit apo identitetin e pilotit ndërsa çështja do t’i kalojë Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit për të hetuar shkaqet e incidentit. /Telegrafi/