Një motoçiklist i lënduar, i cili ra në një grykë në malin Sharr, është shpëtuar mbrëmë nga një ekip policor nga stacioni i Mazraçës.
QMK-ja njoftoi se dje në orën 17:31 është marrë njoftim për një person të plagosur pasi ka rënë me motoçikletë në grykë. Lokacioni ka qenë në terren të vështirë për t’u aksesuar në vendin e quajtur “Dera e Vogël” afër “Liqenit të Zi” në Malin Sharr, në pjesën afër kullës së vrojtimit “Mazraça” në pjesën drejt kufirit me Kosovën.
Personi ka qenë duke lëvizur me motoçikletë dhe pasi ka rënë në luginë ka thyer këmbën. Në ora 18:15 nga Stacioni Policor “Galatë” ka raportuar se policët e stacionit policor të Mazraçës kanë arritur ta nxjerrin dhe ta zbresin në fshatin Gjurgjevishtë, ku po priste ekipi mjekësor i urgjencës nga Spitali “Ferid Murat” nga Gostivari./Telegrafi/