Një vajzë 15 vjeçe mund të shkonte drejt vetëvrasjes, në rast se policia nuk do të kishte ndërhyrë për t’i dhënë fund pjesëmarrjes së saj në lojën e rrezikshme “Balena e Kaltër”.
E mitura kishte kohë që luante lojën vdekjeprurëse. Ajo, sipas informacioneve të para, është nga periferia e Korçës dhe kishte arritur deri në nivelin e 30-të të lojës së rrezikshme.
Vajza që mbetet anonime, prej disa javësh kishte nisur të luante lojën që e ka prejardhjen nga Rusia, duke iu bindur misioneve të përcaktuara nga kuratori, raporton “Standard.al”.
Rasti i të miturës është zbuluar nga Sektori i Krimit Kompjuterik në Policinë e Korçës. 15-vjeçarja i ishte nënshtruar lojës, por monitorimi, i cili është intensifikuar nga ky sektor i policisë, ka dhënë sinjalin e parë për rastin e vajzës, duke bërë që instancat të mobilizohen dhe të ndërhyjnë në kohë.
“Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon vetëvrasjen e një shtetaseje të mitur, e cila në rrjetin social ‘Facebook’ ndiqte udhëzime dhe ishte bërë pjesë e lojës ‘Balena Blu’. Më datë 29.06.2017, në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë ardhur disa informacione në rrugë operative se një shtetase 15-vjeçare, banuese në qarkun e Korçës, duke qenë përdoruese e rrjetit social ‘Facebook’, mund të kishte marrë disa udhëzime nga një adresë ende e paidentifikuar me përdorues ‘Balena Blu’”, bën me dije zyrtarisht Policia.