Ekipi i marinës tajlaneze ka thënë se 12 djemtë dhe trajneri i tyre janë shpëtuar nga shpella, duke kompletuar një operacion të jashtëzakonshëm të shpëtimit që ka fituar vëmendje ndërkombëtare.
“Dymbëdhjetë djemtë dhe trajneri i tyre janë jashtë shpellës. Të gjithë të sigurt”, është njoftuar përmes një postimi në Facebook, nga Zyra e Emergjencave në Tajlandë, përcjell Telegrafi.
Tetë djemtë që janë shpëtuar të dielën dhe të hënën janë në spital, mirëpo nuk është bërë i ditur ende identiteti i tyre.
Secili person është larguar nga shpella me ndihmën e zhytësve profesionalë.
Grupi ishte duke eksploruar shpellën në provicën veriore, Chiang Rai më 23 qershor, mirëpo është bllokuar si pasojë e reshjeve të shumta të shiut. /Telegrafi/