Site icon Telegrafi

Shpëtohen shtatë emigrantë, zhduken 21 të tjerë – pas fundosjes së një anijeje pranë bregdetit të ishullit Lampedusa, Itali

Shtatë njerëz janë shpëtuar, ndërsa 21 të tjerë janë zhdukur në det si pasojë e fundosjes së një anijeje me emigrantë pranë bregdetit të ishullit italian Lampedusa, thanë zyrtarët e OKB-së të mërkurën.

Të shpëtuarit janë shtetas sirianë, të cilët u thanë ekipeve për shpëtim se tre fëmijë janë në mesin e personave të zhdukur, raportuan mediat italiane.

Roja bregdetare italiane i shpëtoi shtatë emigrantët dhe tha se ata po lundronin me një anije me 28 njerëz në bord, e cila ishte nisur nga Libia disa ditë më parë.

Koordinatori i UNICEF-it në Itali, Nicola Dell’Arciprete, e dënoi “fundosjen tragjike të edhe një anijeje tjetër pranë Lampedusas”.

“Shumica e të mbijetuarve thonë se i kanë humbur anëtarët e familjes. Ne jemi në vendin e ngjarjes me ekipet tona”, shkroi ai në X.

Mesdheu qendror është njëra prej rrugëve më vdekjeprurëse detare për emigrantët. Sipas agjencisë së OKB-së për emigrantët, IOM, më shumë se 2.500 emigrantë janë mbytur apo zhdukur në përpjekje për ta kaluar Mesdheun vitin e kaluar.

Ndërsa, deri tani këtë vit janë mbytur apo zhdukur 1.047 të tjerë.

Të dhënat e fundit nga Ministria e Brendshme e Italisë tregojnë se mbi 43.000 emigrantë kanë mbërritur në Itali deri tani në vitin 2024, që është një rënie krahasuar me vitet e kaluara. /REL/

Exit mobile version