Njëmbëdhjetë peshkatarë indonezianë përfunduan në një ishull të vogël pranë bregut australian, pas fundosjes së anijes.
Siç raporton BBC, ata u shpëtuan pasi kaluan pothuajse një javë në ishullin Bedwel pa ushqim, transmeton Telegrafi.
Autoriteti australian i Sigurisë Detare, ka njoftuar se peshkatarët u transportuan në vend të sigurt të hënën.
Peshkatarët thanë se dy varkat e tyre u goditën nga cikloni i fuqishëm tropikal Ilsa javën e kaluar, duke fundosur një prej tyre.
Nëntë nga 10 anëtarët e ekuipazhit të anijes së fundosur janë ende të zhdukur.
Thuhet se i mbijetuari i vetëm ishte në oqean për orë të tëra, duke u mbajtur pas bombolës, përpara se të dallohej nga peshkatarët nga një varkë tjetër, shkruan BBC.
Peshkatarët e mbijetuar u panë nga një aeroplan i Forcave Kufitare australiane. Më pas ata u dërguan në spital me helikopter.
Autoritetet thonë se “të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht gjithçkaje që kanë kaluar”.
Cikloni Ilsa, stuhia më e fortë e rajonit në 14 vjet, goditi Australinë Perëndimore javën e kaluar, fatmirësisht nuk ka shkaktuar shumë dëme në zonat e banuara.