Site icon Telegrafi

Shpëtohen dy turistë holandezë që kishin mbetur të izoluar në gjirin e Filikurit në Himarë

Policia Kufitare ka mundur të shpëtojë dy turistë holandezë që kishin mbetur të izoluar në një terren të thepisur në gjirin e Filikurit në Himarë.

Sipas njoftimit të policisë, njëri prej turistëve ishte i dëmtuar për shkak të rrëzimit.

“Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Komisariatit të Policisë Himarë është njoftuar se për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur, dy turistë holandezë të cilët po eksploronin zonën, kishin mbetur të izoluar në gjirin e Filikurit dhe se njëri prej tyre ishte dhe i dëmtuar nga rrëzimi”, njofton policia.

“Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi kanë organizuar punën për t’iu shkuar në ndihmë dy turistëve. Pas disa orësh kërkimi, nga shërbimet e Policisë të ndarë në grupe kërkimi përmes detit dhe përmes tokës, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe gjetjen e turistëve, të cilët janë transportuar me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, me qëllim dërgimin e menjëhershëm të tyre, në ambientet ku pushonin në Himarë”, shton policia.

“Të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Turistët holandezë kanë falënderuar shërbimet e Policisë Kufitare, për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar për t’iu ardhur në ndihmë, turistëve që vizitojnë Vlorën dhe gjithë Shqipërinë”, sqaron policia. /Telegrafi/

Exit mobile version