Operacioni i shpëtimit në kërkim të nëndetëses së zhdukur Titan vazhdoi të mërkurën dhe të enjten, dhe ekipet e shpëtimit tashmë po hyjnë në një luftë reale me kohën duke pasur parasysh se personave të zhdukur në nëndetëse u kanë mbetur edhe pak orë oksigjen.
Roja Bregdetare e SHBA lëshoi dokumente të mërkurën që tregojnë se zona është kontrolluar deri më tani, por pa shumë sukses, transmeton Telegrafi.
“Kur je në mes të një rasti të kërkim-shpëtimit, gjithmonë ke shpresë”, tha kapiteni i Rojës Bregdetare të SHBA, Jamie Frederick.
Ajo që i gëzon shpëtimtarët është informacioni se në zonën e kërkimit janë dëgjuar tinguj të tjerë nënujorë, të cilët mund të tregojnë se nëndetësja është afër.
“Për momentin ne nuk e dimë saktësisht se çfarë janë tingujt, por shpresa duhet të ruhet”, shtoi Frederick.
As of now, these are the completed searches for the Titan, a 21-foot submersible from the Polar Prince, as of Wednesday afternoon.#Titanic pic.twitter.com/alpYBFA8kQ
— USCGNortheast (@USCGNortheast) June 21, 2023
Ai gjithashtu theksoi se gjatë natës dhe ditës zona e kërkimit do të zgjerohet në më shumë se 28.700 kilometra katrorë.
Megjithatë, sot shpëtimtarët po hyjnë në një garë të vërtetë me kohën, duke marrë parasysh faktin se, sipas përllogaritjeve, në nëndetëse ka mbetur oksigjen për pasagjerët edhe për disa orë.
“Një nga arsyet që unë dyshoj se nëndetësja mund të mos dalë në sipërfaqe pas hedhjes së ngarkesës ‘liruese’ mund të jetë se ajo mund të jetë pjesërisht e përmbytur. Nëse keni ujë në byk, ky është një vëllim mjaft i madh. Pasagjerët mund të bëhen hipotermikë, dhe unë nuk jam i sigurt se sa mirë funksionojnë sistemet e pastrimit të CO2 nëse bien në kontakt me ujin”, tha inxhinieri Ron Allum për The Guardian.
Aktualisht në zonën e kërkimit ndodhen disa ekipe ndërkombëtare të shpëtimit dhe zona monitorohet nga ajri nga avionët kanadezë P-3, të cilët janë më përgjegjës për identifikimin e burimit të zërit që vjen nga thellësia e detit. /Telegrafi/