Bjeshkataria dhe alpinizmi janë sporte të cilat të bëjnë të njohësh, respektosh dhe të duash natyrën.
Shpëtim Kaliçani, një alpinist i ri, por me shumë energji në një intervistë për Telegrafin, ka treguar për dashurin, pasionin, mendimin, ëndrrat që ka për ngjitjen në male.
Që kur e praktikoni këtë sport dhe çka të shtyri në fillim?
“Unë jam me origjinë nga Peja dhe kjo zonë është e njohur për malet e saj dhe kështu unë u dashurova në bukurin e tyre. Shpesh më duket se kur je nga kjo anë, malet të bëjnë thirrje dhe t’i duhet të shkosh. Këtë sport e praktikoj si fëmijë fal Xhavit dhe Korab Dreshajt dhe do ta vazhdojë deri në energjinë e fundit që do kem në trupin tim”.
Jeni vetëm 25-vjeç, në tregoni për ngjitjet e juaja dhe planet e së ardhmes.
“Udhëtimet e mija kanë qenë kryesisht nëpër Kosovë. Bjeshkët e Rugovës i njoh si rrugët e lagjes time. Kosova ka bukuri magjepse, veçanërisht Bjeshkët e Rugovës dhe Alet Shqiptare, por çdo maje i ka bukurit e veta. Shpresoj dhe besoj që në një të ardhme të afërt të ngjitem në Kilimanjaro, pastaj vazhdojmë tutje”.
Bjeshkataria dhe alpinizmi, janë sporte të rrezikshme, ju keni ndonjë ndodhi specifike?
“Aksidentet ndodhin, por dashuria e madhe për këtë sport bënë që momentet e këqija të kalohen shpejtë dhe të harrohen. Një ngjitje e mirë duhet të bëhet me zemër dhe besim, jo ambicie dhe krenari. Me dy karakteristikat e para mund të arrish çdo maje”.
Për të arritur në një maje, çka duhet të mendosh paraprakisht, cilat janë përgatitjet?
“Aktualisht jetoj në Prishtinë, por pasionin tim vazhdoj ta praktikoj vazhdimisht me Klubin Alpin Prishtina të cilët janë një grup mjaft profesional. Pra, duket të kesh një ekip, apo grup. Në mal nuk duhet të ngjitësh pa ekip, pa qenë i aftë fizikisht dhe psiqikisht. Pasi gjithmonë duhet të jesh i përgatitur dhe i balancuar të përballosh ato që udhëtimi sjellë. Grupi apo ekipi me të cilin udhëton e ka rëndësinë e vetë, pasi puna ekipore në një aventurë apo udhëtim ka rëndësi të veçantë, përkujdesja për njeri-tjetrin është thelbësore. Është një sport i vështirë, por asnjëherë nuk duhet të dëshproheni, pasi nuk ka ngjitje të kotë. E bukura e çdo ngjite është se e nesërmja ju gjen më të fortë dhe më të përgatitur për cakun tjetër, sepse synimet gjithmonë rriten”.
Mund të na jepni një mendim për atë çka do të thotë mali dhe ngjita për ju?
‘Është diçka që buron nga brenda, që quhet pasion. Është një impuls nga brenda, diçka që ka një gjuhë, diçka që të karakterizon. Ashtu si noti, ecja, piktura, këndimi, për mua ngjita në male është diçka që buron nga brenda. Malet janë fillimi dhe fundi i bukurisë natyrore, ato janë monumente të pavdekshme të tokës. Mua më duket vetja si një shqiponjë që fluturon e cila shpëtimin e saj e gjënë në male”.
Më lartë thatë se keni udhëtuar pothuajse në çdo maje të vendit tonë, mund të përshkruani bukurit e natyrës tonë dhe çka do të thotë ajo për ju?
“Liqenet, peizazhet e bukura në male, janë bota ime e vërtetë, vetëm aty e ndjej vetën të qetë dhe rehat. Nuk ka asgjë më të bukur të shikosh malin tek sa përqafohet në mëngjes nga dielli, të ndjesh erën e lehtë, dritën e një rrufeje, apo të një liqeni që shkëlqen”.
Ju jeni dhe trajner personal, sa ka ndikuar bjeshkataria dhe alpinizmi në profesionin tuaj?
“Mali është një lloj mësimi jetësor, të tregon se gjërat që do t’i arrish, apo nivelet duhet punë dhe durim. Por, çdo gjë është më e lehtë për mua, pasi jam i ri dhe ambicioz. Nga çdo ngitje unë marrë mësim, i cili më vonë në një ose tjetrën mënyrë më hynë në funksion në jetë e urbanizuar për t’i kaluar sfidat. Në një mënyrë, ato janë një sfidë te vetvetja dhe për ta fituar atë ju duhet të ngjiteni”. /Telegrafi/