Drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani ka bërë të ditur se deri më tani kanë pranuar 15 të lënduar nga shpërthimi që ndodhi në Ferizaj.
Lenjani gjatë konferencës së përbashkët për medie me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj njoftoi se tre persona janë në kujdesin intensiv, ndërsa edhe 10 të tjerë janë duke u trajtuar nga kirurgët plastikë në Emergjencë.
Po ashtu, Lenjani tha se një vajzë e moshës 20-vjeçare është dërguar në Klinikën e Ortopedisë pasi ka pësuar edhe thyerje.
“Në Klinikën Emergjente gjithsej kemi 15 të lënduar si pasojë e eksplodimit të bombolës. Për momentin janë katër të pranuar, tre në kujdesin intenziv, pas trajtimit të plagëve të djegies, dërgohen në mjekim intensiv qendror, ndërsa një e moshës 20 vjeçare, si pasojë e djegieve të fytyrës, kokës e qafës dhe për shkak të thyerjes së kokës së qafës së femurit dërgohet në Ortopedi. Kurse, 10 të tjerë janë ende në Emergjencë, që janë duke trajtuar nga mjekët kirurgët plastik në sallën operative. Kemi pasur një bashkëpunim me Spitalin Regjional, kemi pasur informacionin e menjëhershëm dhe kemi pasur kohë t’i bëjmë gati hapësirat dhe t’i pranojmë pacientët për trajtim”, tha Lenjani. /Telegrafi/