Telegrafi

Shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës – vazhdon të jetë e rëndë gjendja e katër pacientëve që po trajtohen në mjekim intensiv

Mbi dhjetë persona janë lënduar të shtunën pasdite si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në fshatin Kçiq të Mitrovicës.

Të lënduarit menjëherë janë sjellur për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, për shkak të djegieve që kanë pësuar nga zjarri.

Nga të lënduarit katër janë duke u trajtuar në mjekim intensiv dhe gjendja e tyre vazhdon të jetë e rëndë.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin doktoresha Agreta Gashi nga Klinika Intensive.

Lexo po ashtu Bombola e gazit shpërtheu në bodrum, policia jep detaje nga rasti ku u lënduan mbi dhjetë persona në Kçiq të Mitrovicës

“Në mjekim intensiv qendror janë duke u trajtuar katër pacientë. Gjendja e tyre është e rëndë pasi që kanë djegie në përqindje më të madhe”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq në Klinikën e Kirurgjisë Plastike janë duke u trajtuar 8 pacientë.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje rreth këtij rasti, ku ka bërë të ditur se nga shpërthimi bombolës së gazit, 14 persona kanë pësuar lëndime trupore.

Rasti ka ndodhur të shtunën rreth orës 16:35, ku shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen.

“Katërmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale”, thuhet në raportin e policisë. /Telegrafi/