Menjëherë pas shpërthimit, flakët kanë përfshirë ndërtesën njëkatëshe që ndodhet buzë liqenit. Ishin banorët e Shirokës ata që shpejtuan të fiknin zjarrin, ndërsa kanë sinjalizuar policinë dhe punonjësit e repartit të zjarrfikësve. Sapo kanë marrë njoftimin, efektivat blu kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës pohojnë se dyshohet që në lokalin e Halit Beqirit të ketë shpërthyer ndonjë bombul gazi, por nuk përjashtohet mundësia e vendosjes së tritolit. Sipas policisë lokale, fatmirësisht shpërthimi nuk ka shkaktuar dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale.
Mësohet se janë marrë në pyetje banorë të zonës si dhe vetë pronari Beqiri. Ky i fundit ka deklaruar se nuk ka konflikte me asnjë person. Ndërkohë, grupi hetimor ka vazhduar kryerjen e veprimeve hetimore dhe po punon intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes që tronditi banorët e Shirokës, raportoi BW./Telegrafi/