Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në një lokal të automjeteve me qira (rent a car) në sheshin “Edit Durham” në Prishtinë, rreth orës 19:37.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka deklaruar se nuk ka asnjë person të lënduar nga ky shpërthim.
Ai ka shtuar se janë evakuuar disa persona përreth lokacionit ku ka ndodhur shpërthimi.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit. Për shkaqe sigurie janë evakuuar disa banorë përreth vendit të ngjarjes, ndërkaq deri më tani nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale”,ka thënë Borovci.
Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. /Telegrafi/