Telegrafi

Shpërthim në Lion të Francës, të paktën shtatë të plagosur (Foto/Video)

Të paktën shtatë vetë u plagosën të premten në një shpërthim të dyshuar me bombë në një rrugë për këmbësorë në zemër të Lionit, Francës juglindore, ka thënë zyra e prokurorisë lokale.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, zona në të cilën ndodhi shpërthimi, në një rrip të ngushtë toke midis lumenjve Saone dhe Rhone në qendrën historike të qytetit, është evakuuar, sipas gazetarëve të AFP në vendin e ngjarjes.

Për fat të mirë, asnjë nga lëndimet nuk duket të jetë kërcënuese për jetën, tha një zëdhënës i zyrës së prokurorisë.

Një vajzë tetëvjeçare është në mesin e të lënduarve, sipas mediave franceze. Qendra e qytetit është mbyllur nga policia.

Raportohet gjithashtu se pakoja u hodh nga një burrë në një biçikletë, dy minuta para shpërthimit.

Një burim i policisë i tha agjencisë France-Presse se “bomba” u vendos përpara një furrë buke në cep të dy rrugëve pranë Place Bellecour, në zemër të qytetit.

Ndërkohë presidenti francez Emmanuel Macron e ka quajtur shpërthimin në Lion një “sulm” dhe thotë se nuk ka të vdekur “për momentin”. /Telegrafi/