Policia e Kosovës ka njoftuar se pas një shpërthimi që ka ndodhur sot rreth orës 14:45 në Hajvali, ka humbur jetën një person.
“Ju njoftojmë se sot në ora 14:45 policia ka marrë informatën se në rrugën “Adnan Loku” në Hajvali, saktësisht në një objekt përcjellës, të një shtëpie ka ndodhur një shpërthim, ku një person ka humbur jetën.
Bëhet fjalë për një mashkull M.G 42 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Menjëherë në vend të ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë e nevojshme policore për ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe po punojnë me intensitet të shtuar për të sqaruar të gjitha rrethanat, të cilat kanë të bëjnë me këtë rast.
Mbështetur në rezultatet e para të hetimit dhe të ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se shpërthimi ka ardhur si rrjedhojë e aktivizimit të një mjeti shpërthyes që dyshohet të jetë granatë dore. /Telegrafi/