Një bombë ka shpërthyer në lagjien “Eksarqia”, në qendër të Athinës, mbrëmjen e kësaj të mërkure. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22 e 25 minuta, në rrugen “Ypokratus”, numri 112.
Policia vendase tha se mekanizmi shpërthyes ishte vendosur në një automjet, por ende nuk dihet pronari i tij dhe as arsyet e këtij akti, që sipas autoriteteve duket se është vepër e organizatave ekstremiste të majta, të cilat kontrollojnë lagjien rebele të kryeqytetit helen.
Burime policore lokale i thanë Top Channel se ka qenë një telefonatë e bërë nga persona anonimë që paralajmëroi për praninë e mjetit shpërthyes. Madje, terroristët paralajmëruan edhe orën e shpërthimit.
Me të mbëritur në vendngjarje, policia ka lokalizuar vendndodhjen e bombës dhe ka evakuuar zonën. Por ajo ka shpërthyer përpara afatit të paralajmëruar nga terroristët.
Për fat të mirë nuk ka patur viktima dhe të lënduar, por burimet policore thonë se ka sinjalizime për një mjet të dytë shpërthyes. /tch/