Telegrafi

Shpërthim i fuqishëm i vullkanit në Itali, qielli nuk është parë nga hiri – humb jetën një person (Foto/Video)

Nga shpërthimi i vullkanit në ishullin italian Stromboli ka humbur jetën të paktën një person, kurse disa tjerë janë lënduar.

Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa që është dëgjuar nga një distancë prej 30 kilometra, kurse dëshmitarët okularë tregojnë se si pas shpërthimit të fuqishëm është dëgjuar një dridhje nga e cila më pas e gjithë zona u mbulua nga hiri sa që nuk dukej as qielli, transmeton Telegrafi.

“Mbi ishullin Stromboli është krijuar një re në formë të kërpudhës, ku më pas është parë llava duke u derdhur nga kodra në drejtim të fshatit Ginostri, e gurët kanë fluturuar në të gjitha anët”, ka deklaruar Fiona Karter, turiste nga Britania e Madhe, e cila në momentin e shpërthimit të vullkanit gjendej në ishullin Panarei rreth 30 kilometra larg ishullit Stromboli.

Siç raportojnë mediat italiane, pas shpërthimit u krijua një gjendje kaotike ku turistë të shumtë ia mësyn detit duke shpresuar se do t’i shpëtojnë më të keqes.

Dyshohet se personi që ka humbur jetën është një 35-vjeçar nga Sicilia, i cili në momentin e shpërthimit të vullkanit ka qenë duke ecur me një mik. Besohet se shpërthimi ka bërë që copa të mëdha të gurëve të fluturojnë, dhe një prej tyre e ka goditur viktimën që ishte fatale për të.

Kujtojmë që vullkani në Stromboli është një nga vullkanet më aktive në botë, e shpërthimet e tij përcillen nga viti 1932. /Telegrafi/