Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një fabrikë të mjeteve piroteknike në veriperëndim të Turqisë, ku si pasojë janë lënduar të paktën 70 persona derisa për mbi 200 tjerë dyshohet se kanë ngecur të ngujuar brenda objektit.
Një re e madhe tymi është ngritur në ajër në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin turk Hendek, ku në fabrikë vazhdimisht shpërthenin fishekzjarrë të madhësive të ndryshme, transmeton Telegrafi.
Shkaku i shpërthimit deri më tani nuk dihet, ndërsa krisma e madhe është dëgjuar në një distancë prej mbi 50 kilometra.
Aktualisht nuk raportohet për ndonjë të vdekur. E në kohën e incidentit brenda fabrikës kishte mbi 110 tonelata mjete piroteknike.
Kalimtarët e rastit kanë filmuar mbi 80 autoambulanca dhe kamionë të zjarrfikësve, duke lëvizur në drejtim të vendit ku ka ndodhur shpërthimit.
Raportohet se në këtë fabrikë janë të punësuar rreth 200 persona. /Telegrafi/