Pesë fëmijë kanë humbur jetën në një zjarr që shpërtheu në një shtëpi në Arizonë, SHBA.
Zjarri shpërtheu në një shtëpi në Bullhead City, ku si pasojë pesë fëmijë të moshës 2,4,5, 11 dhe 13-vjeç, nuk arritën të dalin gjallë nga shtëpia dykatëshe, transmeton Telegrafi.
Sipas policisë së qytetit Bullhead, zjarri vdekjeprurës shpërtheu rreth orës 17.
“Hetimet janë duke vazhduar me ndihmën e ekipeve të zjarrfikësve, që janë ekspertë në përcaktimin e shkakut të zjarrit të shkaktuar”, u tha nga policia.
Emrat e fëmijëve nuk janë zbuluar, ndërsa katër prej tyre ishin vëllezër dhe motra, e pesti kushëri i tyre.
Këtë e bëri të ditur zëdhënësja e policisë Emily Fromelt.
Që të pesë fëmijët po qëndronin në një shtëpi dykatëshe, që gjendej në afërsi të lumit Colorado në kufirin mes Nevadas dhe Arizonës. /Telegrafi/