Telegrafi

Shpërthen treni në Bullgari, katër të vdekur dhe shumë të plagosur

Katër persona kanë humbur jetën dhe 25 të tjerë u plagosën pasi një tren mallrash doli nga shinat dhe më pas shpërtheu në fshatin verilindor bullgar Hitrino, duke shkatërruar të paktën 20 ndërtesa.

Sipas policisë bulgare, dy vagona të trenit, që mbanin propan-butan dhe propilen, dolën nga shinat në stacionin e fshatit, duke goditur linjën e rrjetit elektrik dhe shpërtheu në flakë.

“Dy shpërthimet kanë shkaktuar një zjarr të fuqishëm dhe kanë shkatërruar të paktën 20 ndërtesa. Ka shumë njerëz të plagosur … shumë me djegie”, tha sekreatri i Ministrisë së Brendshme Georgi Kostov.

Rreth 150 zjarrfikës janë ngazhuar për të shuar zjarrin dhe janë në kërkim për të mbijetuarit në shtëpitë afër linjave të trenit.

Fshati Hitrino gjendet 100 kilometra nga Varna, që është porti kryesor i Bullgarisë në Detin e Zi. /Telegrafi/