Site icon Telegrafi

Shpërthen skandali në Australi: Ushtria kishte përdorur flamurin nazist gjatë misionit në Afganistan (Video)

Ushtari australian që kishte vënë svastikën naziste në një veturë ushtarake në Afganistan qysh para 10 viteve, ka gabuar dhe është dënuar menjëherë, ka deklaruar kryeministri australian Malcolm Turnbull pas fotografisë së incidentit që u bë publik në internet, shkruan Guardian.

Flamuri ishte vendosur në veturën ushtarake gjatë patrullimit në Afganistan në vitin 2007, kurse fotografinë e ka publikuar ABC, transmeton Telegrafi.

“Flamuri është larguar menjëherë, kurse zyrtari i përzier në këtë incident është dënuar nga komisioni disiplinor. Ka qenë gabim dhe eprorët e kanë dënuar menjëherë”, ka shtuar Turnbull.

Australia si aleate e SHBA-ve, kishte dërguar trupa në Afganistan që kanë luftuar për shumë vite kundër talebanëve dhe grupeve tjera ekstremiste.

Sjellja e këtyre ushtarëve gjatë periudhës 2005-2006 është duke u hetuar, pasi akuzohen për përdorim të tepruar të forcës dhe rrezikim të jetës së të tjerëve gjatë misionit.

“Është e papranueshme të përdoret ky lloj flamuri. Është në kundërshtim me vlerat e forcave të armatosura australiane (ADF)”, ka deklaruar Ministrja australiane e Mbrojtjes, Marice Pain. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version