Policia lokale tha se shtetasi Basri Jahelezi, 42 vjeç dhe gruaja e tij, Hajrie Jahelezi, 41 vjeç, po mblidhnin krom në një prej galerive të minierës së vjetër të kromit, kur një shpërthim i papritur gazi ka bërë që të dy bashkëshortët të humbin ndjenjat. Punëtorët e tjerë që punonin po në këtë galeri i kanë nisur të dy bashkëshortët drejt spitalit të Krumës, por rrugës shtetësja Hajrie Jahelezi ka humbur jetën.
Nëndrejtori i Policisë së Qarkut, Xhaferr Elezi, tha se grupi hetimor shkoi menjëherë në vendngjarje dhe e bllokoi atë duke mos lejuar punëtorë të tjerë të hynin në galeri.
Policia u bëri thirrje banorëve të zonës të mos hyjnë në këto galeri të braktisura prej dy dekadash, pasi rreziku eshtë i madh, raportoi BW.
Shfrytëzimi i galerive të kromit nga persona privatë e pa asnjë kontroll është i përhapur në këtë zonë nga banorë të cilët, përmes kësaj pune, nxjerrin të ardhura për të mbajtur familjen./Telegrafi/