Telegrafi

Shpërthen depoja e mjeteve piroteknike në Spanjë, humb jetën një person dhe lëndohen 26 tjerë (Foto/Video)

Në qytetin Tui në Galici në veriperëndim të Spanjës, sot ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm në një depo të mjeteve piroteknike, me ç’rast ka humbur jetën një person dhe 26 tjerë janë lënduar, përfshirë shtatë fëmijë, ka njoftuar sot agjencia për situata emergjente.

“Bëhej fjalë për mjete piroteknike që do të duhej të ishin në depo e ato kanë qenë në një shtëpi. Ai vend është mbajtur fshehtë dhe nuk kemi pasur informacione se brenda saj kishte fishekzjarr”, ka deklaruar kryetari i qytetit Tui, Carlos Vasquez, transmeton Telegrafi.

E përditshmja spanjolle “Faro di Vigo”, raporton se të paktën katër persona kanë humbur jetën në shpërthimin që ka shkatërruar dhjetëra shtëpi në një rreze prej katër kilometrave, ndërsa agjencia për situata emergjente ka konfirmuar vdekjen e vetëm një personi.

Në videon e publikuar nga e përditshmja “El Mundo”, shihet tym i zi mbi zonën ku ka ndodhur shpërthimi si dhe rrënojat e shtëpive të shkatërruara. /Telegrafi/