Site icon Telegrafi

Shpërngulja e të rinjve shqetësim për komunat e Anamoravës

Shpërngulja e të rinjve, mungesa e ujit të pijshëm, problemi i menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbeturinave, janë disa nga problemet me të cilat po përballen komunat e regjionit të Anamoravës.

Këto probleme janë bërë të ditura gjatë një takimi që shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ka pasur me kryetarin e komunës së Gjilanit, atë të Kamenicës, Vitisë, Parteshit, Novobërdës dhe Ranillugës.

Apostolova pasi që ka dëgjuar problemet e secilës komunë, ka thënë se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë mbështetësi kryesor i tyre.

Në këtë takim ajo ka përmendur se Komisioni Evropian ka investuar deri më tash 40 milionë euro në projekte në Kosovë, ku në këto projekte kanë përfituar edhe shumë komuna të Kosovës.

“BE-ja do të jetë mbështetësi juaj kryesor, por BE-ja punon kryesisht me nivelet qendrore. BE-ja mbështet ministritë, qeverinë qendrore, ne po krijojmë master plane dhe strategji dhe ju lus që nga perspektiva juaj, nga komuna juaj të synoni të përfitoni nga kjo. Ju si qeveri lokale jeni përfituesit e fundit, shkalla e përfituesve të fundit nga këto projekte dhe prandaj duhet të angazhoheni në komunikim me autoritetet qendrore sa më shumë, në mënyrë që të përfitoni më së miri nga financimet tona”, tha ajo.

Shefja e Zyrës së BE-së, u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave të regjionit të Anamoravës, që në disa projekte të aplikojnë të gjitha së bashku, pasi në këtë mënyrë do të mund të përfitojnë të gjitha.

Nikoqiri i këtij takimi, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, paraqiti problemin e shtratit të Moravës, e i cili sipas tij po u shkakton probleme komunave të këtij regjioni kur po ka reshje të shiut.

“Projekti i Moravës në vend që me u përkthye në prioritet  dhe në lum që krijon përparësi për ujitje në bujqësi dhe rekreacion, është përkthyer në problem, në ujëra të zeza e në përmbytje dhe në dëmtim të kulturave bujqësore. Është projekt i përbashkët ndërmjet komunave, Kamenicë, Novobërd, Gjilan, Viti, Partesh, janë disa nga projektet të cilat ne me kënaqësi do t’i adresonin ndoshta në një formë të shkruar specifikisht në mënyrë që me pas parasysh cilat janë ato projekte që ne i favorizojmë”, tha ai.

Çështjen e mungesës së ujit të pijshëm e ka shtruar kreu i komunës së Vitisë, Sokol Haliti. Ai tha se përkundër që kanë ujë dhe lumenj të mjaftueshëm si regjion kanë mungesë të ujit të pijshëm.

Përveç kësaj, problemin e deponive ilegale të mbeturinave ai e ka quajtur një “bombë të kurdisur”.

“Uji i pijes regjionalisht kemi nevojë vërtet nuk janë përmbushur nevojat edhe pse kemi ujë mjaft, kemi lumenj që vërtet mundemi që digën ta krijojmë që t’i shërbejë 7 komunave për ujë të pijshëm. Kemi edhe çështjen e menaxhimit të mbeturinave, një problem ky që BE ka investuar shumë po që nuk na mjafton nëse ne nuk e dërgojmë përpara këtë proces. Mund të konsideroj si bombë të kurdisur në regjion çështjen e deponisë së mbeturinave”, tha ai.

Regjioni i Anamoravës ka nevojë për përkrahje më të madhe, por edhe për promovim sipas kryetarit të komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Kastrati tha se si regjion në aspektin e zhvillimit ekonomik nuk e kanë përkrahjen e mjaftueshme, që si pasojë e kësaj kanë edhe numrin më të madh të papunësisë.

“Mendoj që kemi nevojë për përkrahje për shkak të gatishmërisë dhe projekteve të përbashkëta që i kemi në mes të komunave. Për shembull ne si Komunë e Kamenicës së bashku me komunën e Ranillugës kemi mbetur pa u përfshirë për arsye gjeografike në çështjen e trajtimit të ujërave të zeza dhe kolektorëve. Ne si kryetar kemi diskutuar bashkërisht dhe në parim jemi shumë të interesuar që së bashku me shty përpara këtë proces, duke e pasur parasysh që edhe një komune në shtetin fqinjë jemi duke i shkaktuar probleme, siç është komuna e Bujanocit dhe ka reagime të shumta pasi që ujërat e zeza të komunave tona po shkojnë atje”, tha ai.

Kreu i Kamenicës bëri të ditur se së bashku me komunën e Ranillugës janë të interesuar ta bëjnë një zonë ekonomike të përbashkët, duke e pasur parasysh që janë shumë afër autostradës Maqedoni-Serbi që shkon ne Evropë, e që sipas tij edhe gjeografikisht përshtaten.

Përkundër që këto dy komuna janë dakord ta bëjnë këtë zonë, sipas Kastratit problem është mungesa e fondeve pasi që me buxhet komunal nuk mund ta mbulojnë.

Kryetari i komunës së Parteshit, Dragan Petkovic, tha se rinia e kësaj komune po largohet, e për këtë kërkojë që kjo komunë të mbështetet më shumë për të krijuar kushte që rinia të qëndrojë në këtë komunë.

“Ajo çfarë mund të them që është e nevojshme ende një mbështetje shumë e madhe për regjionin tonë që ky regjion edhe më tutje para së gjithash të zhvillohet ekonomikisht, për të krijuar kushte të ndryshme para së gjithash për të rinjtë që të krijohen kushte që të rinjtë tanë të mbesin në regjionin tonë. Pasi që kemi largim shumë të madh të të rinjve nga Kosova, më konkretisht nga komuna jonë në vendet të BE-së”, deklaroi ai për kp.

Shqetësime të njëjta ka ngritur edhe kryetari i komunës së Ranillugës, Vladica Aritonovic, i cili tha se komuna që ai e drejton nuk ka mundësi për t’iu ofruar të rinjve punë.

Për të zgjidhur këtë problem, ai u shpreh optimist se institucionet e vendit, por edhe Komisioni Evropian, do të ndihmojnë komunat duke u dhënë të drejtat për prona publike.

“Si të gjitha komunat, kemi problem që çdo herë e më shumë shumë të rinjtë po na largohen duke kërkuar punë, sepse ne si komunë, sado që mundohemi nuk e kemi atë aftësi për t’iu siguruar të gjithëve kushte për punë. Me këtë do të thotë do të ndërlidhi se komuna përveç gjetjes së investitorëve të ndryshëm, komuna nuk disponon tokë e vet. Dhe për këtë më duhet të them që është nisur një iniciativë nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe Zyra e Kryeministrit, ku të gjitha komunat kanë parashtruar kërkesë për pronën publike dhe besoj se edhe ju do të na ndihmoni në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Gjatë ditës, shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Gjilanit, ku kanë biseduar për problemet me të cilat po përballet kjo komunë.

Exit mobile version