Site icon Telegrafi

Shpërndanin kokainë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, arrestohen dy të rinjtë

Seksioni antidrogë në Policinë e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar ‘Medusa’, në të cilin ranë në pranga dy persona, shtetasi A.Sh dhe shtetasja B.K, të cilët rezultojnë miq me njëri-tjetrin.

Burime bëjnë me dije se ata shisnin lëndë narkotike të forta në zonën e ‘Bllokut’ në Tiranë në doza 20 deri në 30 gramë.

Mesohet se dy të rinjtë komunikonin me blerësit nëpërmjet rrjeteve sociale për t’u shitur më pas drogën. Gjatë kontrolleve u gjetën rreth 500 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Po ashtu 32-vjeçari ka rezultuar se kishte thyer edhe masën e arrestit në shtëpi.

Njoftimi i Policisë:

Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në kuadrin e një procedimi penal, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 3”, ka finalizuar operacionin e koduar “Medusa”.

Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit:

– A. Sh., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”;

– B. K., 34 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë iu gjetën rreth 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 celularë.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi A. Sh. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version