Para Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Dardania” në Prishtinë, këtë të mërkurë disa persona kanë shpërndarë fletushka dhe libra fetarë për fëmijë.
Lajmi është bërë i ditur fillimisht nga faqja “Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë” në Facebook, ku janë publikuar edhe pamjet e librave, ndërsa është bërë thirrje për reagim nga organet kompetente.
Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin drejtori i kësaj shkolle, Isak Bregaj, i cili përmes telefonit tha se ka biseduar me personat që po i shpërndanin librat dhe pasi nuk kishin leje nga komuna, ka telefonuar policinë të cilët i kanë larguar nga aty.
“Para shkollës, te parku, në orën 12:15 një grup i njerëzve kanë filluar t’i shpërndajnë ato libra. Kam shkuar për të biseduar me ta e më thanë se kanë marrë leje nga komuna. Ua kam kërkuar lejen, por nuk e kishin. Kam biseduar me komunën e më kanë thënë se nuk u kanë dhënë leje, ndaj e kam telefonuar policinë. Kur ka ardhur policia, i ka larguar nga aty dhe i kanë marrë me vete e çka ka ndodhur më vonë nuk e di”, deklaroi Bregaj.
I pyetur nëse nxënësit i kanë marrë librat të cilat po ofroheshin, drejtori tha se nuk ka ndodhur një gjë e tillë pasi ata kanë qenë në proces mësimor.
“Jo, nuk i kanë marrë sepse ata e përfundojnë procesin mësimor në orën 12:35. Pra, kanë qenë në mësim kur shpërndaheshin librat. Personat që i shpërndanin janë larguar nga policia në orën 12:20”, ka shtuar tutje Bregaj.
Në fotografitë e publikuara në Facebook, shihen libra me mbishkrimin “Bibla ime e parë” si dhe fletushka e postere ku jepin këshilla për fëmijët se si duhet të sillen me prindërit dhe anasjelltas.
Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me Policinë e Kosovës, por nuk kanë qenë të qasshëm./Telegrafi/