Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me drejtorin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Sokol Sallahu, takoi sot fermerët përfitues të projektit të përbashkët mes Komunës së Skenderajt dhe “Qatar Charity”, në kuadër të së cilit kanë përfituar 20 fermerë të komunës së Skenderajt, me nga 10 koshere me bletë, 10 koshere të zbrazëta për rritje të biznesit të tyre familjar si dhe me nga një centrifugë mekanike për nxjerrjen e mjaltit.
“Me këtë rast Jashari, duke i përgëzuar fermerët përfitues, i bëri thirrje atyre që të punojnë në zgjerimin e biznesit te tyre, për të zhvilluar kështu ekonominë dhe për të zvogëluar papunësinë.
Ai tutje deklaroi që Komuna e Skenderajt, për çdo vit është duke rritur buxhetin për bujqësinë dhe përkrahjen për fermerët e komunës sonë në përgjithësi”, thuhet në njoftimin për media.
Jashari, për realizimin e këtij projekti falënderoi fondacionin “Qatar Charity” dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer ne zhvillimin e bujqësisë në komunën tonë.
Drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Sokol Sallahu, inkurajoj fermerët që të punojnë në zgjerimin e biznesit të tyre duke marrë shembull të fermerëve të suksesshëm që me përkrahje të tillë kanë arritur të krijojnë një biznes të qëndrueshëm dhe të krijojnë vende të punës.
20 fermerët përfitues sot kanë mbajtur trajnim rreth kultivimit të bletëve nga bletari i suksesshëm Zymer Bajraktari, biznesin e të cilit e vizitoi edhe kryetari Jashari dhe me ç’rast e përgëzoi atë për punën dhe përkushtimin e tij në zhvillimin e sektorit të bletarisë në komunën tonë.
Nga ana tjetër fermerët përfitues falënderuan Kryetarin Jashari për përkrahjen e vazhdueshme në jetësimin e ideve dhe zhvillimit të bizneseve të tyre familjare. /Telegrafi/