Telegrafi

Shpërblimi deri në 300 mijë euro: Unioni Evropian i Xhudos shkruan për garën që do të mbahet në Prishtinë

Në Prishtinë do të mbahet një eveniment i veçantë i xhudos këtë fundjavë – Kampionati i Hapur Evropian, një ngjarje inovative e propozuar nga Unioni Evropian i Xhudos (EJU). Kjo ngjarje, e cila do të mbahet për herë të parë më 16 dhjetor, do të sjellë bashkë disa nga xhudistët më të talentuar në kontinent.

Përgatitjet janë në kulmin e tyre, ndërsa luftërat preliminare janë caktuar të fillojnë në orën 09:00. Finalja do të zhvillohet në mbrëmje, duke filluar prej orës 17:00, duke premtuar një spektakël dhe konkurrencës së fortë.

“Të shtunën na pret një premierë e veçantë me Kampionatin e Hapur Evropian në Prishtinë”, ka thënë Unioni Evropian i Xhudos në një deklaratë. “Formati është i ri: do të jenë vetëm dy kategori: 57 kilogramë për femra dhe 73 kilogramë për meshkuj. Gjithsej 300 mijë euro do të paguhen në shpërblime”.

Ky format i veçantë do të mbledhë elitarët e xhudos me të ardhura të konsiderueshme në shpërblime për fituesit dhe finalistët. “Lista e bartësve kryesohet nga kampionia olimpike nga Tokio, Nora Gjakova (57 kg) dhe numri një në botë, Hidayet Heydarov (73 kg, Azerbajxhan),” shtoi EJU.

Konkurrenca pritet të jetë veçanërisht e fortë në kategorinë e meshkujve, ku do të marrin pjesë xhudistë shumë të njohur që kanë fituar medalje në Kampionatin e rregullt Evropian, si dhe të tjerë xhudistë elitarë. Tek femrat, numri i konkurrenteve mund të jetë më i vogël, por priten përballje me shumë intensitet.

Në këtë atmosferë të ngarkuar me pritje, xhudistja e shquar kosovare Distria Krasniqi, kampione olimpike, do të jetë një nga figurat kryesore në ngjarje. “Paraqitja e heroinës vendase, Distria Krasniqi… do të jetë burim i pritjes së madhe”, ka konfirmuar EJU.

Ndërsa Distria zakonisht garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, në Evropianin e Hapur ajo do të testohet në një kategori më të lartë, ku do të përjetohet konkurrenca e kategorisë deri në 57 kilogramë. Kosova do të përfaqësohet edhe nga Akil Gjakova dhe Dardan Cena në kompeticionin e meshkujve.

Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, i cili gjithashtu është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të EJU-së, shpreh optimizmin e tij për suksesin e ngjarjes. “Kjo premierë është e veçantë për ne nga shumë këndvështrime… Kemi pritur gjatë për këtë ngjarje. Pritjet nuk mund të jenë më të mëdha”, deklaroi ai.

Evropiani i Hapur i xhudos në Prishtinë do të organizohet nën programin “Kosova shtet i xhudos”, duke shërbyer si një platformë për të promovuar sportin dhe talentin e xhudistëve në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/